Prokuroria e Sarandës ka vendosur 4 masa sigurimi për ish zyrtarë të ASHK Sarandë dhe një ish deputet, te dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Pas vendimit të dhënë nga Gjyqtari i seancës paraprake i cili la në fuqi kërkesën e Prokurorisë, policia e Sarandës ka ekzekutuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-Drejtoreshën e ASHK Sarandë, Aida Demi 40 vjeç, si dhe masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për ish zyrtarët e po të njëjtit institucion, Erald Lika 33 vjeç dhe Ermen Stroka 34 vjec dhe ish-deputetin e Partisë Demokratike Gani Hoxha. Gjatë caktimit të masës së lehtë të sigurisë ndaj Demit, mësohet se janë marrë parasysh edhe kushtet specifike familjare të saj, si nënë e dy fëmijëve të mitur, shkruan News 24.com
Njëkohësisht Prokuroria e Sarandës ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të 4 personave të mësipërm.
Zyrtarët e ndaluar mësohet se kanë legalizuar një objekt 4 kate në hyrje të qytetit të Sarandës me sipërfaqe ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sipërfaqe 1056 m2 aktivitet social ekonomik, duke i bashkangjitur edhe një truall 1000 m2.
Objekti bashkë me truallin më pas është pajisur me certifikatë pronësie në emër të shtetasit Gani Hoxha. Prokuroria e cilëson legalizimin dhe regjistrimin e pronës si të paligjshëm, pasi kjo pronë realisht është e regjistruar në emër të familjes Sejko dhe është përfituar nga Hoxha me dokumente të falsifikuara./Media Ndërtimi
You must be logged in to post a comment Login