Aktuale
Një burokraci e tërë e lë ndërtimtarinë pa trajtim të duhur në Kosovë
Se ndërtimtaria është njëra prej profesioneve më të zgjedhura kohëve të fundit tashmë është e pamohueshme. Kjo mund të vërtetohet edhe përmes Anketës së Fundit të Fuqisë Punëtore e cila është bërë nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës. Përgjatë statistikave të kësaj ankete mund të shohim se ndërtimtaria “strehon” afro 40 mijë punëtorë.
Edhe pse shifrat flasin për një industri të madhe, ajo nuk ka trajtim të mirë. Kështu thotë për Ndërtimin.info, ekonomisti i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
“Ndërtimtaria nuk e ka trajtimin e duhur, pasi që është një burokraci e tërë që ndër vite e pengon zhvillimin e këtij sektori, sidomos lejet e ndërtimit, kontestet pronësore, problemet kadastrale dhe procesi i legalizimeve ka një impakt mjaft negativ ne zhvillimin e këtij sektori”, ka thënë Rukiqi.
Por, çfarë duhet të bëhet për përmisimin e kësaj gjendjeje në sektorin e ndërtimtarisë, përgjigjet sërish Berat Rukiqi.
“Ndërtimtaria duhet te avancojë në drejtim të krijimit të mundësive për projekte të mëdha investive, sidomos ne zonat urbane. Këto projekte, përveç pjesës së banimit, duhet të përfshijnë edhe hapësira për biznes, tregti, parkingje të mëdha, zona rekreative, hapësira sportive, ofrime të shërbimeve të ndryshme, etj. Ligji për Investime Strategjike do te duhej të mundësonte krijimin e baze ligjore për projekte të mëdha investive, sidomos në hapësirat që do të mund të dedikoheshin për partneritet publiko-privat. Nëse qëllimi i institucioneve ne nivel lokal dhe qendror është rritja e punësimit, atëherë sektori i ndërtimtarisë është një nga mekanizmat që do të mund të krijonte efekte direkte për rritje të punësimit, jo vetëm në këtë sektor, por, edhe në sektorë tjerë të ndërlidhur”, ka thënë ekonomisti i OEK-së.
Edhe pse Anketa e Fuqisë Punëtore në Kosovë thotë që janë afro 40 mijë punëtorë në ndërtimtari, sipas raporteve ky numër del të jetë më i madh. Sipas Bankës Botërore, informaliteti në Kosovë është ndër më të lartët në Evropë, me rreth 36% të punonjësve në sektorin informal.
“Informaliteti në Kosovë është veçanërisht i lartë në ndërtim me 54.7%. Bazuar në përkufizimin ligjor, gjysma e punëtorëve të ndërtimit në Kosovë punojnë pa kontratë pune”, thuhet në raportin e Bankës Botërore./Ndertimi.info/
You must be logged in to post a comment Login