Connect with us

Aktuale

Konferenca e donatorëve, bëhet e ditur sa para pritet të mblidhen për Shqipërinë

Published

on

Të hënën në Bruksel zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve e inicuar nga Bashkimi Europian në ndihmë të Shqipërisë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Qeveria shqiptare shkon aty me pritshmëri modeste.

Hapin e parë të mbështetjes së Shqipërisë pas tërmetit me pasoja tragjike me 51 viktima e 913 të plagosur më 26 nëntor, Komisioni Europian e bëri menjëherë pas tërmetit me dërgimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE në Shqipëri me kërkesë të qeverisë shqiptare. Ndërsa në dhjetor KE bëri të ditur dhënien e një ndihme prej 15 milionë eurosh Shqipërisë me prioritet rikonstruktimin e ndërtesave publike.

Në këto muaj autoritetet përkatëse nga Bashkimi Europian, OKB-ja, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare punuan për përpilimin e raportit të vlerësimit për dëmet e tërmetit, të paraqitur ditët e fundit. Si pasojë e katastrofës u prekën më shumë se 47.000 vetë drejtpërdrejt nga tërmeti, thuhet në raportin përfundimtar të qeverisë shqiptare të paraqitur para pak ditësh, ndërkohë që 17.000 vetë u detyruan të zhvendosen për shkak të humbjes së shtëpive. Në përgjithësi si pasojë e katastrofës u prekën në tërësi 202.291 vetë, nënvizon raporti. Zonat më të prekura janë Shijaku, Durrësi, Kruja, Tirana, Kamza, Kavaja, Kurbini dhe Lezha.

Albanien Erdbeben (DW/R. Shehu )

Pritshmëria e Shqipërisë nga Konferenca e Donatorëve

Ky raport përfundimtar për dëmet e tërmetit do të shërbejë si bazë orientuese për Konferencën e Donatorëve të hënën dhe përpjekjet për rindërtimin dhe rehabilitimin e pasojave të tërmetit. Raporti e llogarit shifrën e përgjithshme të dëmeve të tërmetit me afër 1 miliardë euro. Se sa fonde do të mblidhen në Bruksel në ndihmë të Shqipërisë, kjo nuk dihet ende, por për qeverinë shqiptare shpresëdhënës duhet të jetë fakti, që konferenca e donatorëve bëhet nën drejtimin e vetë presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Prezentë do të jenë edhe kreu i Këshillit të BE, Charles Michel dhe komisioneri i zgjerimit, Olivér Várhelyi, asistentja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Mirjana Spoljaric, kurse nga Shqipëria në konferencë do të marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministrin e rindërtimit, Arben Ahmetaj e koordinatoren kombëtare për vlerësimin e dëmeve të tërmetit, Milva Ekonomi.

Qeveria shqiptare shkon me pritshmëri modeste në Bruksel. Kryeministri i Shqipërisë, i cili ishte pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih i shfrytëzoi ditët e konferencës për të tërhequr sa më shumë donatorë për Shqipërinë. Ai u shpreh megjithatë i përmbajtur për mediat. “Nuk bëhet fjalë për të arritur që të përmbushim të gjitha nevojat, por sidoqoftë të mbetemi në një nivel, që sado modest, të mund të ketë një peshë në këtë proces”, thuhet në Facebookun zyrtar të kryeministrit.

Në bisedë me Deutsche Wellen ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj shprehet mirënjohës për solidaritetin europian të treguar këto muaj. Solidariteti është shumë i madh, megjithatë shifra në fund do ta materializojë këtë solidaritet, thotë ai. Ministri Ahmetaj pret që në “kombinim me grante dhe kredi të arrihet të mblidhet një ndihmë rreth 450 milionë euro” për Shqipërinë. “Për shkak të turit që ka bërë kryeministri në disa vende, për shkak të ndjeshmërisë në vendet europiane presim një shifër përafësisht të tillë.” Megjithatë ai thekson, se nevojat janë shumë më të mëdha. “Jam i shqetësuar se si do t’i japim impuls ekonomisë këto vite e si do të mënjanohen dëmet në infrastrukturë.”

Janez Lenarcic EU Kommissar Besuch Albanien (DW/A. Ruci)
Komisioneri i BE, Janez Lenarcic vizitoi Shqipёrinё pas tёrmetit, 5.12.2019

Banka Botërore ndihmë sektorit shëndetësor

Nevojat më akute në Shqipëri vlerësohet se janë në sektorin e banimit, ku pas tërmetit më shumë se 95. 000 banesa janë shkatërruar dhe dëmtuar, por jo pak dëme ka pasur edhe në shkolla, spitale, e infrastrukturën e vendit. Banka Botërore pas tërmetit në Shqipëri ofroi menjëherë ndihmë në llogaritjen e pasojave të dëmeve dhe efektin e tyre në ekonomi. Drejtoresha rajonale për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, Linda Van Gelder tha për Deutsche Welle, se “më specifikisht, Banka Botërore iu përgjigj nevojave në sektorin shëndetësor, ku tërmeti shkatërroi disa spitale. Një projekt në vijim është duke ofruar ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të modernizuar sektorin e shëndetësisë. Ne jemi të gatshëm të drejtojmë resurset nga ky projekt për të filluar menjëherë punën për rikonstruktimin e tre spitaleve të prekura.”

Banka Botërore ka ofruar e do të ofrojë ndihmë teknike dhe financiare, si në afat të shkurtër ashtu edhe të mesëm, thotë Van Gelder, e cila po ashtu do të marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve, si përfaqësuese e Bankës Botërore.

Konferenca zhvillohet pasditen e ditës së hënë, dhe pas fjalimeve përshëndetëse, pjesëmarrësit do të njihen me përfundimet e raportit mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti e me video nga zonat e prekura nga tërmeti. Konkluzionet e konferencës, ku pritet të marrin pjesë edhe vende të tjera të ftuara dhe organizata do t’i ofrojë në fund komisioneri i zgjerimit të BE, Olivér Várhelyi./DW/

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending