Aktuale
Riciklimi i mbetjeve – Pëson rënie drastike
Riciklimi i mbetjeve urbane në vend ka pësuar një rënie drastike gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në Shqipëri u ricikluan vetëm 17.2% e mbetjeve të prodhuara, ndërkohë që në vitin 2015 shkalla e riciklimit kishte qenë mbi 25%.
Pakësimi i mbetjeve të ricikluara në vend ka ardhur në vitin që kulmoi debatin për lejimin e importit të mbetjeve. Kjo tendencë ngre pikëpyetje nëse një lejim më i gjerë i importit të mbetjeve do të inkurajonte mbledhjen për riciklim të mbetjeve të prodhuara në vend.
Pavarësisht projekteve të veçanta, si ai i ndërmarrë nga Bashkia Tiranë, për ndarjen e mbetjeve në burim, statistikat zyrtare tregojnë se mbledhja dhe riciklimi i mbetjeve në nivel kombëtar nuk është aspak në rrugë të mbarë.
Aktualisht, importi i mbetjeve gjithsesi nuk është plotësisht i ndaluar, por mund të bëhet vetëm për mbetjet jo të rrezikshme dhe me leje të posaçme nga Këshilli i Ministrave.
Sipas Instat, mbetjet e materialeve që mund të riciklohen përbëjnë të paktën 30% të totalit të mbetjeve, çka tregon se potenciali riciklues është larg shfrytëzimit të plotë.
Më pak riciklim nënkupton më shumë ndotje të mjedisit, por, nga ana tjetër, edhe më pak punë për industrinë e këtij sektori. Mbijetesa e industrisë mund të kërkojë një zgjidhje, por, nuk duket e arsyeshme që zgjidhja të vijë nga importi dhe riciklimi i mbetjeve vendase të vazhdojë të neglizhohet,shkruan scan.
Vitin e kaluar Shqipëria prodhoi mbi 2.2 milionë tonë mbetje, nga të cilat vetëm 59% u menaxhuan në çfarëdo lloj forme. Por, edhe mbetjet e trajtuara në pjesën dërrmuese të tyre, afro 78%, thjesht depozitohen në landfille. Madje edhe djegia e mbetjeve për energji pësoi një rënie të ndjeshme në vetëm 0.7%, nga 1.5% që kishte qenë në vitin 2015.