Aktuale
Asfalti e kanalizimi, projektet më të mëdha nëpër komuna
Asfalti, kanalizimi e trotuaret kanë qenë projektet më të shumta në numër dhe më të kushtueshme që janë realizuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar në disa komuna të rajonit të Prishtinës.
Njësoj kishte ndodhur edhe në pjesën e parë të vitit 2019. Vetëm në Komunën e Fushë-Kosovës janë 17 rrugë të asfaltuara në qytet dhe në disa fshatra gjatë kësaj periudhe.
Gjatë vitit të kaluar kjo komuna ka lidhur kontrata edhe për asfaltimin e rrugëve tjera, por që nuk janë përfunduar në 2019. Gjatë këtij viti kjo komunë i ka nënshkruar edhe disa kontrata për ndërtimin e kanalizimit në qytet e fshatra dhe po ashtu për ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimit publik. Në 2019 kjo komunë ka nisur t’i ndërtojë edhe dy qendra të mjekësisë familjare e disa fusha sportive, raporton Koha Ditore.
Në vitin e kaluar Fushë-Kosova ka arritur ta funksionalizojë një shkollë, ndërtimi i së cilës kishte nisur në 2017, janë ndarë subvencione dhe ka filluar ndërtimi i shtëpive për raste sociale.
Diku 15 projekte të asfaltimit dhe ndërtimit të infrastrukturës janë përfunduar për gjashtëmujorin e dytë edhe në disa fshatra dhe në qytetin e Drenasit. Gjithsej rrugë të asfaltuara janë 33,323m, ndërsa rrugë me kubëza janë 1577m. Janë edhe disa projekte të afsfaltimit në këtë komunë që kanë nisur, por nuk janë përfunduar deri në fund të vitit 2019. Projekte në numër të përafërt me asfaltin janë edhe në ndërtimin e kanalizimeve fekale dhe atmosferike nëpër fshatra e qytet.
Gjithsej kanalizime e kolektorë janë ndërtuar 80660m, pastaj 8,000m trotuare, 8,000m ndriçim, 10 ura e tombina.
Në këtë komunë ka vazhduar ndërtimi i dy shkollave nga MASHT-i, po ashtu janë ndërtuar shtëpi për skamnorë, është punuar në ujësjellës, pastrim të lumenjve, janë ndarë subvencione, etj.
Edhe në Komunën e Obiliqit, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019 projektet më të mëdha kanë shkuar në asfalt. Edhe kjo komuna ka ndërtuar rrjett të kanalizimit, trotuare, ndriçim, ka ndarë subvencione, etj.
Ndërkohë, në Komunën e Podujevës janë diku 15 projekte që përfshijnë dhjetëra rrugë të fshatrave e që kanë përfunduar në gjashtëmujorin e dytë të 2019. Gjithsej rrugë të asfaltuara në këtë komunë në 2019 janë 52,840 m2 dhe 5,060m2 rrugë me kubëza që kanë përfunduar.
Përveç këtyre janë edhe disa projekte të asfaltimit që nuk janë përfunduar në 2019, por që vazhdojnë në 2020. Sipas zyrtarëve komunalë janë diku 12 projekte të ndërtimit të kanalizimeve dhe mirëmbajtjes së atyre ekzistues që janë punuar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, e që përfshijnë dhjetëra lagje të fshatrave të Podujevës. Në Podujevë në 2019 është punuar edhe në zgjerimin e lumenjve, ndërtimin e shtratit të lumit Llap, ndriçim publik.
Në pjesën e dytë të vitit 2019 është përfunduar ndërtimi i një shkolle në Llapashticë që kishte nisur në 2017 dhe po ashtu ka filluar ndërtimi i dy shkollave tjera, njëra në Metehi, e tjetra në Llaushë. Komuna e Podujevës gjatë vitit të kaluar i ka ndërtuar dy fusha sportive, ka ndarë subvencione për bujq, etj.