Aktuale
Digjet objekti gati një shekullor në Prizren, vazhdojnë dyshimet për zjarr të qëllimshëm
Gati një shekull rezistoi një objekt afër ish-fabrikës së barnave “Farmakos” në Prizren, por vetëm deri të shtunën e kaluar. Një zjarr që kaploi objektin e shkatërroi në tërësi. E, ky zjarr në objektin e vitit 1929, që gjendet në zonën e mbrojtur, po dyshohet se është vënë qëllimshëm.
Zjarrfikësit e Prizrenit të shtunën dhe të dielën kanë punuar për fikjen e zjarrit, i cili rrezikonte objektet përreth.
Zyrtari për Informim në Komunën e Prizrenit, Lis Dormabari ka thënë për Ndërtimi.info se dyshimi se zjarr të qëllimshëm vazhdon, por mbetet të pritet raporti i organeve kompetente.
“Nuk mund të dalim me një përfundim nëse është zjarr i qëllimshëm apo jo, por dyshimet janë në atë drejtim. Tash u mbetet organeve përgjegjëse që të vlerësojnë këtë. Ne si Komunë nuk mund ta vlerësojmë. Por, dyshimet janë”, ka thënë ai.
Dyshime për zjarr të qëllimshëm ka ngritur edhe drejtori i Emergjencave në Prizren, Faruk Dakaj. Derisa ka njoftuar se zjarri është fikur pa dëmtime në njerëz, Dakaj ka ngritur si shqetësim numrin e vogël të zjarrfikësve në këtë komunë.
“Përderisa zjarrfikësit edhe jashtë orarit të punës angazhohen gati çdo të dytën ditë në ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, Agjensioni për Menaxhim të Emergjencave ka më shumë se një vit që bllokon qëllimisht procedurën e rekrutimit të 30 zjarrfikësve të rregullt siç edhe është përcaktuar me ligj. MPB duhet urgjentisht të marrë masa në ndaj përgjegjësve që bojkotojnë institucionet e sigurisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Objekti i shkatërruar nga zjarri gjendet në zonën e dytë të mbrojtur në Prizren. Ndërsa, në vazhdimësi është shprehur shqetësimi për ndërtimet në afërsi të zonave të mbrojtura në qytetin antik.