Arkitekturë
Shtëpi muze në vendlindjen e Sterio Spases
Në vendin e lindjes së shkrimtarit Sterio Spases, në fshatin Gollomboç të bashkisë së Pustecit do të ndërtohet një shtëpi muze në shkollën ku ai ka marrë mësimet e para. Vizitorët nëpërmjet këtij projekti do të njihen edhe më shumë me jetën dhe veprat e tij.
TIRANË- Gollomboçi fshati i pasur nga veprimtaria letrare e Sterio Spases do të ketë tashmë edhe një shtëpi muze në nder të veprimtarisë së këtij shkrimitari. Sterio Spase lindi në Gollomboç, një nga fshatrat maqedonisht-folës, në bashkinë e Pustecit.
Shkolla ku Sterio Spase ka marrë mësimet e para do të jetë së shpejti një shtëpi muze nga ku vizitorët do të shohin më shumë rreth jetës dhe veprës së tij.
Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterio Spase u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit.
Drejtori i marrëdhënieve me publikun pranë bashkisë Pustec, Eftim Mitrevski shpjegon se si do të shndërrohet shkolla e cila tashmë është pothuajse se e shkatërruar.
“Në fund të muajit mars në shkollën ku Sterio Spase ka marrë mësimet e para do të nisin punimet. Shkollës do i bëhet një rikonstruksion total ku do të mbetën vetëm muret,do rinovohet çatia komplet,do të bëhet brenda një dhomë speciale ku ka qenë klasa e Sterio Spases”, tha Eftim Mitrevski.
Nga ana tjetër edhe Drejtori i Drejtorisë rajonale i trashëgimisë kulturore, Gjergji Koki, pohon se ky projekt do të jetë gati për 2 vitet e ardhshme duke e kthyer dhe një ndër pikat turistike këtë fshat. Ai shton se vlera e këtij projekti do të jetë rreth 200 mijë euro.
“Do të kemi një banesë ku do të jetë një vend pelegrinazhi, në nderim të kujtesës historike por edhe të vendit ku është rritur Sterio Spase si një ndër njerëzit më të shquar që ka pasur zona e Pustecit. Kjo do të jetë një risi dhe destinacion turistik për vizitorët e Pustecit. Vlera e projektit që përllogaritet është 200 mijë euro”, tha Gjergji Koki.
Pritet që ky projekt do ta kthejë fshatin Gollomboc ndër më të frekuentuarit në në bashkinë e Pustecit.