Aktuale
Hapet spitali kinez i cili u ndërtua për 8 ditë nga më shumë se 7,500 punëtorë
I ndërtuar brenda vetëm tetë ditësh, spitali kinez i dedikuar për trajtimin e personave të infektuar me koronavirusin e ri në Wuhan, qytet ky ku ka shpërthyer së pari virusi, ka nisur së pranuari pacientët qysh prej së hënës, kanë bërë të ditur mediat shtetërore.
Ndërtimi i spitalit Huoshenshan është bërë sipas modelit të kopjuar të një spitali, që ishte ndërtuar në Pekin më 2003 në kuadër të betejës kundër SARS-it – Sindromës së Rëndë Akute Respiratore. Më shumë se 7.500 punëtorë kanë marrë pjesë në projektin e shpejtë të ndërtimit, i cili u nis më 25 janar dhe përfundoi gjatë kësaj fundjave.
Kina është duke e ndërtuar edhe një spital të dytë në Wuhan, dedikuar po ashtu trajtimit të pacientëve me koronavirus. Ky spital do të ketë 1.600 shtretër. Leishenshai apo “mali i perëndisë së stuhisë” pritet që të përfundojë së ndërtuari deri më 5 shkurt. Punimet për qendrën e re shëndetësore në Wuhan kishin nisur më 24 janar, ndërsaqë nga e hëna në të do të angazhohen me qindra mjekë vullnetarë nga çdo cep i Kinës.
Autoritetet vendase mobilizuan të gjitha forcat për të bërë të mundur ndërtimin e këtij spitali në kohë rekorde. Që prej shfaqjes së rasteve të para me formën e re të koronavirusit në Wuhan gjatë dhjetorit të vitit të shkuar, virusi është përhapur me hov të shpejtë përtej Kinës, duke prekur të paktën 22 shtete të botës, përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Japoninë dhe Tajlandën, ndërkaq të dielën është shënuar edhe rasti i parë i vdekjes së një të infektuari përtej kufijve të Kinës, në Filipine.
Si rrjedhojë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur javën e shkuar emergjencën globale për virusin, ndërsa shkencëtarët po përpiqen që ta zbulojnë vaksinën kundër tij sa më parë që është e mundur.