Arkitekturë
Projekti i Gëzim Paçarizit, fitues i konkursit për konzervimin e “Shtëpisë së Herticëve”
Projekti fitues i konkursit për konzervimin dhe adaptimin e “Shtëpisë së Herticëve” në Prishtinë, është projekti i arkitektit të mirënjohur Gëzim Paçarizi.
Konkursi ishte hapur në fund të muajit gusht të vitit të kaluar dhe kishte qëndruar i hapur deri me datën 30.10.2019.
Sipas arkitektit, projekti i tyre është projekt i ndërlidhjes në mes të strukturës së re e cila krijon një “Landmark” në lagjen e Herticëve, dhe të shtëpisë-shkollë të dëmtuar rëndë gjatë luftës 1999.
“Kjo ndërlidhje në një institucion të ri, pos përkujtimit të shkollave ilegale paralele kosovare të viteve ’90 krijon një pol të ri atraktiv për Prishtinën. Projekti zhvillohet në ndërlidhjen dhe në ndërhyrjen e dyanshme të strukturës së re dhe të vjetrës. Struktura e re bën mbrojtjen dhe konsolidimin e të vjetrës duke krijuar njëkohësisht një arkitekturë si makinë poetike të aftë për të gjeneruar hapësira dhe atmosferë stimuluese muzeale për aktivitetet përcjellëse”, thotë arkitekti Paçarizi.
Qasja e tyre arkitektonike ishte krijimi i një institucioni përkujtues të drejtuar në të ardhmen. Sipas tij, gjuha e re bashkëohore e përdorur, krijon mundësi të reja në hap me vullnetin e popullit kosovar për të ecur para.
“Kjo arkitekturë e re paraqet një institucion me të cilin mund të identifikohemi lehtë dhe me mburrje. Të shpresojmë që Muzeu të ndërtohet sa më shpejt dhe që të hap një traditë të re të konkurseve arkitektonike transparente në mënyrë që shoqëria kosovare ta zhvilloj edhe këtë aspekt kulturor të harruar gjatë 20 viteve të fundit”, u shpreh ai.
“Shtëpia e Herticëve” ishte ndërtuar në vitin 1992 dhe kishte shërbyer si shkollë për nxënësit e Prishtinës për 7 vjet. Shtëpia ka 14 dhoma në tre kate dhe gjendja aktuale e saj nuk është aspak e mirë.