Featured
Gjoba ndaj atyre që lidhen ilegalisht në rrjetin e ujësjellësit
Qytetarëve të Vushtrrisë iu është bërë thirrje që të mos bëjnë kyçje ilegale në rrjetin e ri të ujësjellësit.
Në të kundërtën komuna ka paralajmëruar se ndaj atyre që do të bëjnë këto kyçje ilegale do të merren masa, qoftë edhe me gjoba.
Njoftimi i plotë:
“Ju njoftojmë se ditë më parë me shumë sukses është testuar gypi magjistral i ujësjellësit që lidh 17 fshatra të Artakollit të Vushtrrisë me ujë.
Pas investimeve të shumta si në rregullimin e Ujësjellësit për nevoja të qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë, e po ashtu edhe në shtrirjen e rrjetit për secilën shtëpi, Komuna e Vushtrrisë bashkë me Njësinë e Ujësjellësit në Vushtrri u bëjnë thirrjeve qytetarëve që kurrsesi të mos bëjnë kyqje ilegale në rrjetin e ri të ujësjellësit, por të presin derisa të bëhet kyqja zyrtare shtëpi më shtëpi.
Ndryshe, Komuna e Vushtrrisë por edhe ujësjellësi janë shumë të vendosur që të përdorin të gjithë mekanizmat e shtetit, të ndërhyjnë dhe të merren masa ndaj shkelësve të ligjit që tentojnë ilegalisht të lidhen në rrjetin e ujësjellësit.
Për ujin e pijes qytetarët e Vushtrrisë kanë vuajtur shumë, prandaj nuk do të lejojmë kurrsesi që ky investim kaq i madh dhe me shumë vlerë për të gjithë, të keqpërdorët dhe të rrezikohet.
Nuk do të lejojmë që ky projekt që ka kushtuar me miliona të rrezikohet nga keqpërdoruesit e ujit!
Nuk do të lejojmë që keqpërdoruesit të lënë pa ujë të pijes qytetarët tjerë që kanë nevojë për të!
Ujë të pijes do të ketë për të gjithë, por jo edhe për keqpërdoruesit! “