Aktuale
Ndërtimi i fushave të sportit në shkollat e Prishtinës i cilësisë së dobët
Nga gjendja në të cilën ndodhet kjo fushë sporti në shkollën fillore Dardania, lehtë mund të pësosh sikur Jon Fejzullahu, të martën.
Ai nuk është i vetmi që ka pësuar lëndime gjatë orës së edukatës fizike.
Arsimtari i kësaj lënde, Sabri Makolli, thotë se kjo fushë nuk qëndroi në gjendje të rregullt asnjëherë prej kur u rregullua, njofton Klan Kosova.
Bile, në të u intervenua edhe 3 herë të tjera, por nuk ndryshoi gjë.
Të njëjtin fat ka edhe fusha e sportit në shkollën fillore Gjergj Fishta.
Zyra e mediave në komunën e Prishtinës i tha Klan Kosovës se sipas kontratës, punëkryesit obligohen që këto fusha t’i mbaj në gjendje të rregullt për 5 vjet sa është edhe periudha e garancionit, në të kundërtën lënda dërgohet në gjykatë.
I kontaktuar nga televizioni, Ibrahim Tahiri, pronar në kompaninë Zhvillimi, që shtroi fushën në shkollën Gjergj Fishta, tha se po presin të arrijë materiali nga Turqia dhe brenda pak ditësh do nisin punimet në të dyja vendet.
Ai pranoi se në fundin e 2015-ës, kur punuan në këtë fushë dhe atë të shkollës Nexhmi Mustafa në Besi, moti nuk ishte i përshtatshëm, por edhe terrenet ua vështirësuan punën.
Ndërsa, Fisnik Kajtazi, inxhinier në kompaninë Global ING, që kreu punimet në fushën e Dardanisë tha se janë në dijeni për këtë problem dhe se sapo të arrijë materiali do ta rregullojnë atë.



