Aktuale
Instituti manipulon me letra për shumëkatëshen te monumentet në Gjakovë
Dy raporte në versione të ndryshme e për të njëjtin rast del të jetë një prej rasteve të dyshimta se si iu hap rrugë shumëkatëshes afër monumenteve në Gjakovë.
Për këtë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve brenda një dite ka shkruar dy raporte, ka ndërruar një anëtar të Komisionit dhe në fund ka marrë vendimin.
Për juristët, një dokument me numër të njëjtë protokolli s’mund të ketë dy përmbajtje. E për këtë është paralajmëruar edhe një kallëzim penal për falsifikim të dokumenteve zyrtare, shkruan sot Koha Ditore.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ismet Hajrullahu, dhe arkitekti Avni Manaj kanë dhënë versione të ndryshme sa u përket dokumenteve që dalin të jenë të manipuluara e si pasojë e tyre tashmë ka përfunduar ndërtimi i bodrumit të objektit që do të ketë shtatë kate nja 10 metra larg Mejtepit Ruzhdije e nja 30 metra larg Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë.
Gazeta ka raportuar se fillimisht në muajin prill të vitit 2019, IKMM-ja kishte refuzuar kërkesën për t’ia dhënë pëlqim kompanisë ndërtuese që të ngrejë objektin. Refuzimi ishte bërë me arsyetimin se ndërtesa potenciale gjendej brenda zonës së mbrojtur të Kullës, Mejtepit e monumentit tjetër, që është Shkolla e Muzikës. Por vendimi i drejtorit të IKMM-së, i datës 7 korrik 2019, ka bërë që ky institucion të heqë dorë nga mbrojtja e parcelës ku ka nisur ndërtesa. Më 7 tetor kompania “Ylli Pashtriku” sërish i kishte kërkuar IKMM-së pëlqim për të lejuar ndërtimin. E dy ditë më vonë drejtori i IKMM-së, Hajrullahu, nëpërmjet një shkrese i kishte thënë kompanisë së nuk ka nevojë të kërkojë pëlqim. Vendimi ishte marrë në bazë të rekomandimit të raportit të datës 7 gusht me numër protokolli 348. Gazeta posedon raportin, ku në vend të anëtarëve Avni Manaj nga IKMM-ja, Drita Lushtaku po nga ky institucion, Alban Kastrati po ashtu nga IKMM-ja, Osman Gojani, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, dhe dy zyrtarët komunalë, Elida Bejtullahu e Arbër Jusufi, është nënshkruar drejtori Hajrullahu.
Por ekipit të “Kohës Ditore” e të KTV-së, IKMM-ja me qëllim të “legjitimimit” të procesit, të mërkurën ia ka prezantuar edhe një raport me numër të njëjtë protokolli e me datë të njëjtë. Ndryshe nga ai i pari – për të cilin gazeta ka raportuar se është i panënshkruar përderisa edhe tre nga gjashtë anëtarët e Komisionit me shkrim e kanë kundërshtuar atë – tash ka prezantuar raportin me nënshkrime, ku katër punonjës të IKMM-së nënshkruhen për heqjen dorë nga mbrojtja parcelës, ku ka nisur ndërtimi. Për ta bërë shumicën, del se një anëtar është ndërruar.
Pos kësaj, ky institucion e ka pranuar se ka prodhuar dy dokumente për të njëjtën çështje e në bazë të tyre brenda ditës ka marrë vendim për caktimin e zonës së mbrojtur. Raporti që ka prezantuar IKMM-ja mban nënshkrimet e Avni Manajt, Drita Lushtakut, Mimoza Dibranit e Alban Kastratit. Por në këtë dokument Arbër Jusufi është zëvendësuar me Mimoza Dibranin.
Avni Manaj, që kryeson komisionin për përcaktimin e perimetrit të mbrojtur, për raportin që posedon gazeta, pa nënshkrime, ka thënë se i është dërguar për nënshkrim zyrtarëve në Gjakovë me qëllim që pas marrjes së nënshkrimit të marrë formën finale.
“Mund të jetë lëshim teknik. Unë mund të flas vetëm për aspektin profesional. Ky që ju ofrojmë ne është raporti zyrtar”, ka thënë ai.
Drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu – tri ditë pas raportimit të parë të gazetës për këtë rast – ka thënë se shkresa që posedon gazeta i është dërguar Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë për ta nënshkruar.