Aktuale
Opozita në Lipjan akuzon kryetarin Ahmeti për keqmenaxhim të parasë publike
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan dje nëpërmjet një konference për media ka akuzuar ekzekutivin e komunës për keqmenaxhim të prasë publike me arsyetim se një pjesë e buxhetit nga të hyrat vetjake po shpenzohej për subvencione të militantëve të partisë në pushtet.
“Ne si opozitë i themi kësaj qeverisje dhe kryetarit Ahmeti se do të duhej të lavdëroheni nëse keni arritur ta realizoni ndonjë projekt madhor për zhvillimin ekonomik të komunës, por jo për disa projekte kozmetike “sa për sy e faqe”. Sepse shumica e fshatrave nuk kanë fare kanalizim por as ujësjellës, andaj projektet e tilla përveçse kanë një kosto të lartë ato nuk shihen nga publiku, prandaj kjo është arsyeja e vetme që komuna po bën investime kozmetike”, ka thënë Peja, raporton Koha Ditore.
Sipas tij, kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti nuk mund të krenohet nga të hyrat në fondin vetjak të qytetarëve sepse ato para janë taksa nga qytetarët, prandaj sipas Pejës ato po keqpërdoren sepse po shpenzohen edhe në mënyrë të subvencioneve për militantët e vetë në forma të ndryshme.
“Është shqetësuese sepse kryetari Ahmeti dezinformon qytetarët dhe krenohet me të hyrat vetanake të cilat nuk shpenzohen sipas prioriteteve. Për 2019-n nga 17 projekte që kishte planifikuar komuna nuk kanë arritur të nisin fare, andaj ky është një keqmenaxhim i parasë së qytetarëve. Pra ky kryetar është mësuar të hedhë pluhur mbi sytë e qytetarëve, mirëpo jemi ne ata të cilët tash e tutje do ta pasqyrojmë në detaje çdo zhvillim të kësaj komune”, ka thënë Peja.
Ai ka sugjeruar kryetarin e komunës së Lipjanit Imri Ahmeti që të bën investime jetike për qytetarët dhe mos të bën investime kozmetike sa për t’i joshur qytetarët sepse sipas tij tashmë të gjithë e dinë se sa mund të kushtoi një projekt i caktuar siç janë zebrat për këmbësor apo ndriçimi mbi këto zebra e posaçërisht ndriçimi solar që e ka premtuar kryetari Ahmeti.
“Po ashtu Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, shprehim shqetësimet tona sepse Komuna e Lipjanit shpeshherë publikon komunikata boshe të cilat po përgatiten nga njerëz të pakualifikuar derisa ato njoftime shpeshherë bien në kundërshtim me zhvillimet komunale e po ashtu shpeshherë janë të paqarta. Deri sot qytetarët e Komunës së Lipjanit nuk janë informuar në detaje për asnjë projekt të caktuar nëpërmjet faqes së komunës, mirëpo kjo po ndodh për shkak të mungesë së transparencës dhe mungesës së njohurive”, ka kritikuar Peja.
Nga ana tjetër kryetari i komunës së Lipjanit Imri Ahmeti gjatë së martës nuk ka qenë i qasshëm për të marrë një deklaratë rreth kësaj çështje.
Ndërkohë ai në rrjetin e tij social “facebook” ka publikuar një grafikë nëpërmjet të cilës ka njoftuar se gjatë 2019-s të hyrat vetjake të kësaj komune kanë shënuar rritje. “Po vazhdon trendi i rritjes së të hyrave në buxhetin e komunës. Në krahasim me vitet tjera vitin 2019 rritja e të hyrave arrin 8.33 për qind”, ka njoftuar shkurt Ahmeti. Ndërkaq sipas grafikës së publikuar nga Ahmeti planifikimi i të hyrave për 2019 ishte 1,983,269.00 eurosh, ndërkohë janë realizuar 2,148,567.83 eurosh. Ndërkaq krahasimi i të hyrave në vite tregon se më 2018 është shënuar një rritje prej 5.73 për qind ndërkaq më 2019 8.33 për qind.