Aktuale
Instituti lejon shumëkatëshe afër monumenteve në Gjakovë
Kulla e Sylejman Vokshit dhe Mejtepi Ruzhdije në Gjakovë janë shembujt më të freskët se si trashëgimia kulturore nuk kursehet aspak nga ndërtimet e reja. Përderisa në disa raste monumenteve gjithandej vendit u është cenuar pamja nga ndërtesa që janë ngritur pa leje, kësaj radhe gjithçka është bërë me miratimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Është Instituti i Trashëgimisë Kulturore i Kosovës që i ka hapur rrugë ndërtimit të një shumëkatësheje të re, nja 30 metra larg Kullës së Sylejman Vokshit dhe nja 10 metra larg Mejtepit Ruzhdije.
Objekti i ri në anën perëndimore të Kullës e atë veriperëndimore të Mejtepit, pos bodrumit dhe përdheses do të ketë edhe shtatë kate të tjera. Ani pse në fillim të vitit të kaluar Ministria e Kulturës kundërshtonte tërheqjen e Komunës nga shpronësimi i parcelave përreth Kullës me arsyetimin se aty mund të ndërtoheshin shumëkatëshe, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve proceduralisht ka mundësuar objektin e lartë afër monumenteve. Ndërtesa që ka nisur të marrë formë nuk është në parcelat prej të cilave Komuna kishte hequr dorë me vendim të Asamblesë.
për trashëgimi kulturore e përcakton perimetrin e mbrojtur të monumenteve.
“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose të ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor”, shkruhet në pikën 4 të nenit 6 të këtij ligji. IKMM-ja në këtë rast ka shfrytëzuar mundësinë e ngushtimit të perimetrit të mbrojtur, por që bie ndesh me një tjetër nen që ndalon pengimin e pamjes së një monumenti.
Fillimisht në pranverën e vitit të kaluar kompania “Ylli Pashtriku” kishte bërë kërkesë për të marrë pëlqim nga IKMM-ja që të ndërtojë objekt shumëkatësh në breg të lumit që ndan në dysh Gjakovën. Meqenëse objekti planifikohej të ndërtohej afër Kullës së Sylejman Vokshit, Mejtepit Ruzhdije e Shkollës së Muzikës, të tria këto monumente, IKMM-ja kishte refuzuar kërkesën më 30 prill me arsyetimin se shumëkatëshja do të zinte vend brenda perimetrit të tri aseteve të trashëgimisë kulturore.
Por po ky institucion do t’i binte pishman duke marrë vendim krejt tjetër, nja tre muaj më vonë. Është kujdesur që proceduralisht t’i hapë rrugë ndërtimit të objektit.
Sipas shkresave që posedon gazeta, IKMM-ja në muajin shkurt të vitit të kaluar kishte themeluar një komision për definimin e zonave të mbrojtura të aseteve të trashëgimisë kulturore. Në korrik të vitit të kaluar ky komision në përbërje të Avni Manajt, Arzije Zenelit, Drita Lushtakut, Osman Gojanit e Elida Bejtullahut kishte mbajtur dy mbledhje në Gjakovë.
Bazuar në rekomandimet e Komisionit, drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, më 7 gusht 2019 ka nxjerrë vendim për definimin e perimetrit të zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore Kulla e Sulejman Vokshit, Mejtepi Ruzhdije dhe Shkolla e Muzikës. Parcela ku tashmë ka përfunduar ndërtimi i vrazhdë i bodrumit, ishte lënë jashtë zonës së mbrojtur.
Kompania “Ylli Pashtriku” i ishte drejtuar me kërkesë të re për pëlqim IKMM-së. E më 9 tetor të vitit të kaluar ky institucion i kishte thënë ndërmarrësit se nuk ka nevojë të japë pëlqim pasi nuk bëhet fjalë për zonë të mbrojtur në hapësirën ku planifikohej ndërtimi. Kësisoj, IKMM-ja i kishte hapur rrugë kompanisë që Komuna e Gjakovës në dhjetor të jep leje për ndërtimin e objektit B+P+7. Bodrumi do t’i ketë 8442 metra katrorë e kati i shtatë do të përfundojë me 590.38 metra katrorë. Në lejen që ka lëshuar Komuna e Gjakovës ceket edhe shkresa e IKMM-së që krijon mundësinë e ngritjes së objektit të ri.
Të hënën ekipi i gazetës ka qenë në zyrën e drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ismet Hajrullahu. Megjithëse nuk ka pasur në zyrë ndonjë palë të jashtme, ka refuzuar të flasë me ekipin, pa lënë mundësi për të caktuar një tjetër kohë për takim. Po të hënën këtë rast nuk e ka komentuar as ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore para disa ditësh ka dalë për të parë situatën në Gjakovë. Por nuk ka pasur mundësi të intervenojë.