Aktuale
Aushvic, 75 vjet më vonë në kampin ku gjetën vdekjen 1.1 milion njerëz
Bota nuk e harron. Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, trupat e Ushtrisë së Kuqe çliruan të mbijetuarit e kampit të vdekjes së Aushvic, në Poloni dhe hoqën tmerrin e Holokaustit. Sot udhëheqësit e botës përqafojnë të mbijetuarit e paktë dhe përballen me ringjalljen e antisemitizmit, teksa kujtesa është gjithmonë e gjallë.
Më shumë se një duzinë krerësh shtetesh, duke përfshirë Presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Presidentin Izraelit Reuven Rivlin, do të marrin pjesë në ceremonitë e orës 15.30 në “Portën e Vdekjes”.
Në Aushvic 1,1 milion njerëz humbën jetën në dhomat e gazit të kampit ose nga uria, të ftohtit dhe sëmundjet.
Themeluar nga Gjermania naziste në Poloninë e okupuar në 1940, fillimisht për të strehuar të burgosurit politikë polakë, ai u bë më i madhi nga qendrat e shfarosjes, ku u vendos në praktikë “Zgjidhja përfundimtare”, plani hitlerian për shfarosjen e plotë të hebrenjve.
Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.
Sonte natën në Memorialin e Holokaustit në Berlin janë ndezur 75 qirinj me rastin e shënimit të Ditës së sotme të Kujtimit të Holokaustit dhe 75-vjetorit të çlirimit nga kampi përqendrimi nazist Aushvic-Birkenau.
Ceremonia e qirinjve u organizua nga Shoqata Europiane e Hebrenjve të vrarë dhe Memoriali i Holokaustit.
“Në çdo ditë të caktuar, por para së gjithash në Ditën e Kujtimit të Holokaustit, ne duhet të tregojmë fytyrën tonë, ne duhet të ngrihemi së bashku në mënyrë që fjalët e përsëritura kurrë të mos jenë më boshe,” tha Lea Rosh, drejtuesi i shoqatës.
Me këtë raste është mbajtur edhe një meshë në Katedralen e Berlinit, dhe një seri ceremonish përkujtimore do të mbahen në kryeqytetin gjerman.
Që nga çlirimi i tij 75 vjet më parë, më 27 janar të vitit 1945, Kampi i Aushvic është bërë një nga simbolet e mizorive të Holokaustit.
1,100,000 burra, gra dhe fëmijë janë vrarë në kampin e vdekjes naziste.
Të burgosurit e dërguar në kamp përfshinin hebrenjtë, ciganët, homoseksualët, Dëshmitarët e Jehovait, Polakët dhe Sovjetikët.
Aushvic ishte kampi më i madh i përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe 80% e atyre që mbërritën atje u vranë menjëherë.