Aktuale
Tërmeti i 26 nëntorit: Bie kërkesa për kreditë e shtëpive
Bankat e nivelit të dytë në vend, raportuan rënie të kërkesës për kredi shtëpie në tremujorin e fundit të vitit që shkoi. Nga vrojtimi i fundit i bërë nga Banka e Shqipërisë, mbi aktivitetin kreditues në vend, rezulton se një faktor domethënës në rënien e kërkesës për hua banesë ishte tërmeti i 26 nëntorit.
Pas shkatërrimit dhe dëmtimeve të forta në mjaft ndërtesave në Durrës, Laç, Thumanë, Tiranë apo zona të tjera të prekura, individët kanë shprehur interes të ulët për të marrë financime për blerje shtëpie, edhe pse standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e fundit të 2019.
Bankat u shprehën se mbajtën thuajse të pandryshuara standardet e kreditimit në kreditë konsumatore. Në tremujorin e parë të vitit 2020, bankat planifikojnë lehtësim të standardeve mbi kreditë akorduar individëve, në të dyja kategoritë.
Po ashtu banka e Shqipërisë raporton se edhe kërkesa për kredi e bizneseve u raportua disi më e ulët në tremujorin e fundit të vitit, por kësaj radhe këtu tërmeti nuk përmend si faktor edhe pse nuk përjashtohet.
Rënia e kërkesës për kredi u është theksuar në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve. Kërkesë disi më e ulët nga një tremujor më parë u perceptua në të dyja ndarjet e biznesit sipas madhësisë, në atë të biznesit të vogël e të mesëm, si edhe në atë të madh. Rritje e kërkesë ka vetëm për kreditë e dhëna në mbulimin e nevojave për likuiditet.
Ndërkohë standardet e kreditimit për bizneset janë lehtësuar disi në tremujorin e katërt të vitit qe shkoi për bizneset e vogla e të mesme dhe nuk ndryshuan në kategorinë e bizneseve të mëdha.