Trendi i regjistrimit dhe shuarjeve të bizneseve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019 me ritëm të njëjtë, ndërsa numri i bizneseve të shuara për një vit po konsiderohet të jetë shqetësues për ekonominë e vendit.
Drejtori i drejtorisë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve(ARBK), Mehdi Pllashniku thotë për KosovaPress, se në vitin që lamë pas janë shuar 1 mijë e 774 biznese, prej tyre 11 kompani të huaja.
Pllashniku thotë se vetëm në muajin janar të këtij viti, 518 biznese janë regjistruar, ndërsa janë mbyllur 71 sosh.
“Në vitin 2019 në ARBK janë regjistruar 10 mijë 54 biznese, ndërsa janë mbyllur 1 mijë e 774 biznese… Arsyet, shkaqet për mbyllje janë pesë, por në shumicën e rasteve deklarohen në mënyrë vullnetare. Në qoftë se marrim një statistikë që nga viti 2000 përafërsisht numri i shuarjeve është rreth 10 përqind”, thotë Pllashniku.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OAK), Berat Rukiqi shprehet se në vendet tjera edhe mund të jetë shkallë më e ulët e bizneseve të shuara, mirëpo procedurat e falimentimit dhe mbylljes janë shumë më të rënda dhe kjo i dekurajon shumë bizneset që me hyrë në këto proceduara, përderisa në Kosovë nuk ka fare burokraci me i mbyllë bizneset.
Rukiqi thotë se bizneset për shkak të obligimeve, edhe për shkak të procedurave të caktuara marrin vendim për mbylljen e bizneseve.
“Nuk është që kemi një trend në favor të mbylljes së bizneseve në raport me trendin e atyre që hapen. Deri sot nuk është konsideruar si një prej problemeve të ekonomisë në Kosovë mbyllja e bizneseve. Shkaqet janë kryesisht të ndryshme. Sot gjithkush donë me provua fatin, sidomos ata që synojnë vetë punësimin në biznes. Pastaj është pjesa tjetër që e lehtëson mbylljen e bizneseve, është edhe legjislacioni. Shumë biznese për shkak të obligimeve, edhe për shkak të procedurave të caktuara vlerësojnë se më lehtë me mbyllë biznesin me kalua në diçka tjetër.
Edhe eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj thotë për KosovaPress, se si rezultat i performancës së dobët ekonomike të bizneseve në vend, është rritur në vazhdimësi numri i kompanive të shuara.
Përveç kësaj, Kadriaj thotë për shkak të vështirësive në qasje financiare dhe normat e lata të kredive, shumica e bizneseve janë të detyruara të dështojnë.
“Si rezultat i mos likuiditetit monetar, të gjitha bizneset po tentojnë të hyjnë në kredi, por në momentin e futjes në kredi, shumica e bizneseve janë të predispozuara që të dështojnë, sepse nga kamatat e larta dhe performanca ekonomike e bizneseve vendore në vend nuk është aq e kënaqshme dhe si rezultat i saj sipas raporteve të ATK-së, zakonisht brenda një viti ka biznese që mbyllen si rezultat i mos përmbushjes së obligimeve ndaj kësteve në banka, po ashtu edhe ndaj pagesave të deklarimeve në ATK, që kjo e fundit në momentin që nuk i përgjigjet bizneseve merr masat për mbylljen e atij biznesi”, tha ai.
Sipas tij, Kosova nuk qëndron mirë për aktivitetet ekonomike dhe zhvillimin e ndërmarrjeve dhe nuk mjafton vetëm të regjistrohet një biznes ose ta merr certifikatën e biznesit, por duhet të jetësohet ose të fillon aktivitetin ekonomik.
Sipas të dhënave të ARBK-së në vitin 2018 ishin regjistruar 9 mijë e 967 biznese, ndërsa janë mbyllur 1 mijë e 890.