Aktuale
Detajet e marrëveshjes për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd, negociohen në Berlin
Ambasadori Grenell ka shpjeguar se marrëveshja për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd është arritur në parim, dhe se tani mbetet puna e dakordimit të detajeve, dhe kjo do të nis prej të hënës, në Berlin, në nivel ekspertësh.
Ai i ka thënë “Kohës Ditore” se pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, ky është një tjetër hap i rëndësishëm pozitiv, ndërsa ka thënë se pret që konkludimi dhe zbatimi i të dy marrëveshjeve të bëhet sa më parë që të jetë e mundur, por nuk ka dashur të jap data apo afate.
Ai ka thënë se pajtimin e palës kosovare e ka marrë gjatë takimeve në Prishtinë, por se lajmin nuk ka mundur ta bëjë publik pa e marrë edhe pajtimin e palës serbe në Beograd, dhe kjo është arsyeja pse lajmi u bë i ditur sot, nga Beogradi.
I dërguar special i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në një bisedë telefonike për gazetën “Koha Ditore”, ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja në parim për hapjen e transportit hekurudhor ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Gjatë bisedë me një grup të vogël gazetarësh, Grenell ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë dhe asaj në Beograd sot, ka marrë pajtimin e të dy palëve për një hap të tillë. Marrëveshja është në parim, ndaj sipas tij nga e hëna pritet të negociohen detajet.
I pyetur nga “Koha Ditore”, ai ka thënë se për një marrëveshje të tillë pëlqimin e ka marrë edhe nga qeveria aktuale, por edhe nga liderët e partive që po negociojnë mundësinë e koalicionit qeverisës.