Aktuale
Veliaj i vendosur për ndërtimin e Teatrit të ri: Së shpejti nisim punën
Pavarësisht padisë në Gjykatën Kushtetuese, Bashkia e Tiranës shprehet e vendosur për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Nga Bulevardi i Ri, kreu i Bashkisë së Tiranës, dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për ndërtimin e teatrit me kushte komode për të gjithë artdashësit. Veliaj kishte edhe një mesazh për ‘Aleancën për Teatrin’. “Jam shumë i vendosur të vazhdojmë me Teatrin e Ri. Për të gjithë ata që thonë kur do prishet, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të shkojë në Parlament kontrata e re, të jepet leja për Teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në të gjithë Europën Juglindore. Tirana e meriton që në 100 vitet te ardhshme të mos shkojë në teatër me batanije dhe qytetaret të rrethohen nga mbetjet e kashtës dhe shkrepëseve të Milanos fashiste”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shtoi se gjithçka do të jetë e hapur dhe transparente, kurse nisja e punimeve për Teatrin e ri do të lajmërohet publikisht. “Për të gjithë ata që po lodhen aty, për mua rrini sa të doni, po nuk do ju’a bëjmë pa ditur, do ju lajmërojmë ditën që do të fillojë ndërtimi i Teatrit të ri. Në finale të gjithë do të mundohemi që të harrojmë kush ishte kundër, siç po harrojmë kush ishte kundër sheshit “Skënderbej, Pazarit të Ri, Lodrave te Liqeni, këtij Bulevardi dhe shumë prej investimeve të tjera sepse besoj kur ndodh gjëra e bukur të gjithë duan të jenë bashkëautorë. Suksesi ka shumë prindër, dështimi ngelet zakonisht jetim se të gjithë e pasojnë. Teatri do të jetë një sukses. Sukses i këtij 100 vjetori, ku do të fillojmë teatrin e ri, bashkinë e re dhe shumë prej projekteve që i kemi pranë zemrës”, theksoi Veliaj./Burimi: Lexo.al