Aktuale
Ec Ma Ndryshe, sërish kërkon shkarkimin e drejtorëve të akuzuar
Organizata joqeveritare Ec Ma Ndryshe, nëpërmjet një komunikate ka përsëritur kërkesën ndaj kreut komunal Mytaher Haskuka për shkarkimin e drejtorëve komunalë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Koha.net.
“EC rikujton se Prokuroria Themelore në Prizren me datë 3 dhjetor 2019 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre drejtorëve komunalë dhe dy personave tjerë për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, pika 2.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa me datë 20 dhjetor 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër një drejtori dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatën e EC-it.
Sipas kësaj organizate, më datë 14 janar 2020, kryetari i Komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka ka njoftuar se drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Refik Shaqiri (njëri prej tre drejtorëve të akuzuar me 3 dhjetor 2019) ka dhënë dorëheqje dhe se do të vazhdojë karrierën e tij në sistemin e shëndetësisë publike.
“Duke marrë parasysh mungesën e deritanishme të vullnetit individual të drejtorëve tjerë komunalë të cilët kanë aktakuza për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të drejtorisë komunale, EC Ma Ndryshe, përsërit kërkesën drejtuar Kryetarit të Komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësve të tij.
EC-i edhe njëherë përkujtojnë se premtimet elektorale të z.Haskuka ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional”, thuhet në fund të komunikatës së kësaj organizate.