Aktuale
Objekti i pensionistëve pejanë jofunksional shkaku i mungesës së inventarit
Pensionistët e Pejës ende janë duke pritur që t’i hapen dyert e shtëpisë për qëndrim ditor, që është ndërtuar kapur me parkun e vogël të qytetit, pranë pallatit të kulturës.
Ky objekt ka përfunduar në vjeshtën e kaluar, por gjallëri në atë shtëpi ende nuk ka nga personat e grupmoshës së tretë, për të cilët është ndërtuar nga komuna ky objekt për qëndrim ditor.
Kjo shtëpi, në fakt është një vend rekreativ ku do të vijnë pensionistët të qëndrojnë gjatë ditës dhe ku do të kenë mundësi të lexojnë e të argëtohen me lojëra të ndryshme. Këtë kënaqësi pensionistët nuk e shijuan këtë dimër, ndonëse kishin shpresuar.
“Me kalua ditën në atë objektin e ri për qëndrim ditor, për neve pensionistët është shumë mirë, se këtu në objektin e shoqatës kushtet janë shumë të këqija. Këtu nuk kemi kushte të kalojmë dimrit kohën, edhe pse ka disa pensionistë që vijnë e rrinë dy-tri orë e shkojnë. Këtu s’ka kushte se është ftohët dhe objekti është i vjetër. Po shpresojmë që bëhet më shpejtë ai objekt për neve që me kalua ditën në të”, thotë kryetari i shoqatës së pensionistëve në Pejë, Sherif Haliti, shkruan EO.
Për objekte të tilla për qëndrim ditor, kanë pas nevojë pensionistët e Pejës, të cilët, siç thotë Haliti, ka vite që përmes shoqatës së tyre kanë adresuar kërkesa në Institucionet komunale, për shkak se pensionistët kanë pas probleme ku ta kalojnë ditën.
Objekti për qëndrim ditor të personave të moshës së tretë, i cili arkës komunale i ka kushtuar 80 mijë euro, ka nisur të ndërtohet në vitin 2018 dhe ka përfunduar vjeshtën e kaluar. Sipas dinamikës projekti ishte paraparë të realizohet për dy vite, bazuar edhe në planifikimet buxhetore për këtë projekt, 50 mijë euro në vitin 2018 dhe 30 mijë euro në vitin 2019.
Mirëpo, në kuadër të projektit të ndërtimit të objektit nuk kanë qenë të planifikuara edhe mjetet për inventarizimin e objektit. Dhe për vitin 2019 komuna nuk kishte planifikuar mjete për inventarin e atij objekti. Për inventarizim siç tregojnë në komunë ka qenë i planifikuar buxhet i ndarë për sivjet.
“Mjetet për furnizimin me inventar të shtëpisë për qëndrim ditor të personave të moshës së tretë janë planifikuar me buxhet për vitin 2020 ku dhe janë të ndara 10 mijë euro. Ne kemi planifikuar këtë muaj me shpallë tenderin për inventarin e atij objekti, por tash meqë buxheti në nivel qendror ende nuk është miratuar, do të pronlogohen të gjitha projektet deri në krijimin e qeverisë dhe miratimin e buxhetit. Prandaj asnjë kërkesë nuk mund të ja bëjmë zyrës së prokurimit pa zotim të mjeteve”, tregon drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Petrit Loci, arsyen pse objekti i ri për pensionist nuk do të hapet as këtë muaj.
E varësisht nga zhvillimit në nivelin qendror, mund të zvarritet hapja e tij deri në pranverë. E pasi të lëshohet në funksion, ai objekt nuk i jepet në menaxhim shoqatës së pensionistëve, por siç thotë Loci, do të menaxhohet nga drejtoria që ky e drejton, ngase objekti nuk është ndërtuar për atë shoqatë apo për shoqatën e grave pensioniste, por për gjithë personat mbi moshën 65 vjeçe të dyja gjinive.