Arkitekturë
“Tirana Garden-City” ndër 26 projektet finale që do prezantohen në Lubjanë
Në konferencën 2020 Creative Exchange e cila do të mbahet në MAO Lubljanë, nga 26 projektet e zgjedhura për tu prezantuar, nga shtete të ndryshme të botës, është përzgjedhur edhe projekti Tirana Garden City, nga Arba Bekteshi, Fiona Mino dhe Melpomeni Nelaj.
Konkursi i organizuar nga Future Architecture kishte pranuar 433 ide nga 53 shtete të ndryshme për pjesëmarrje nga të cilat vetëm 26 prej tyre arritën të futen në listën finale.
Projekti i Tirana Garden City është zgjedhur nga votat e publikut. Projekti nxjerr në pah veçoritë e kopshteve të Tiranës, si një shumëllojshmëri e karakteristikave estetike, shqisore dhe biologjike që formojnë një tipologji të vetme, e cila kujdeset për nevojat e kopshtarit të saj.
Kopshtit vernakular të Tiranës, autoret i qasen si një proces narrativ që shpaloset në vazhdimësinë e vet. Ky kopsht ekziston si një mishërim i gjithanshëm, – vendndodhja e tij që formon një hapësirë të vetme sensoriale, një shprehje të kopshtarëve të saj. Kopshti ushqen dhe qetëson.
“Ky projekt dëshiron t’i kundërvihet diskursit aktual të zhvillimit urban mbi kopshtet vertikale në ndërtesa të larta. Ne argumentojmë se marrëdhënia e mishëruar e kopshteve horizontale i reziston proceseve të zakonshme të zhvillimit dhe përfaqëson koncepte si ‘sustainability’ (qëndrueshmëria) dhe de-growth. Ne dëshirojmë të zgjerojmë shëtitjet dhe analizat tona psikogjeografike që kanë buruar prej tyre, në mënyrë që të rivlerësojmë kopshtet e Tiranës si një komponent kulturor i qytetit, përmes një serie ndërhyrjesh multidisiplinare dhe specifike për këtë qytet”, tha Melpomeni Nelaj.
Konferenca dy-ditore do të mbahet me 12 dhe 13 shkurt 2020. Qëllimi i saj është të shpalosen ide dhe tendenca për zhvillimin e ardhshëm të profesionit të arkitekturës dhe arkitekturës e së ardhmes.