Trashëgimia
Oborri “muze” i ish-ushtarit të UÇK-së
Në murin e gjatë prej guri, në fshatin Gaçkë, ndodhet e mbështetur parmenda si artefakti më i vjetër në oborrin e Hamdi Nezirit.
Në të njëjtin rend, të varura janë edhe dhjetëra gjësende të tjera antike që datojnë që nga Lufta e Parë Botërore.
Meqenëse me profesion nuk është arkeolog, shumicën e tyre i ka të dhuruara e të blera, raporton emisioni SOT në KTV.
Përveç parave, qilimave, telefonit e makinës së shkrimit, pjese e këtij “muzeu” janë edhe thikat, fishekët, revolet e rrobat e ushtarit të përdorura nga vetë ai në luftën e fundit në Kosovë.
Periudhën e saktë të gjërave që ruan koleksionuesi i artefakteve, Hamdi Neziri thotë se nuk mund ta konstatojë vetë. Për këtë i duhet ndihma e një profesionisti.
Ndonëse mund të duken të ngjashme me shumë të tjera, sipas Nezirit, secila nga to ka nga një detaj që i bën unike.
Ai thotë se edhe për Muzeun e Komunës së Ferizajt ka dhuruar shumë artefakte.
Ish-ushtari i UÇK-së thotë se dyert e shtëpisë së tij janë të hapura për të gjithë ata që duan t’i shohin ato që ai ka koleksionuar ndër vite.