Aktuale
Arkitekti Maksut Vezgishi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2020
Kosova edhe këtë vit do të jetë pjesë e Bienales së Venecias për Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës. Për këtë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kurator të Pavijonit të Kosovës në këtë ngjarje ka emëruar arkitektin Maksut Vezgishi, transmeton Ndërtimi.info.
Jehona Shyti është emëruar komisionere e Pavijonit të Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në këtë bienale, që për këtë vit mbahet Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës, për të 17-n herë me radhë.
Tema e sivjetme e ekspozitës, të cilën e ka përcaktuar Bienalja e Venecias është “How we can live together” apo “ Si mund të jetojmë së bashku”, kështu që edhe tema me të cilën do të përfaqësohet Republika e Kosovës në këtë ngjarje do të jetë brenda këtij koncepti.
“Në bazë të vendimit të ministrit, komisionerja ka për detyrë të punojë ngushtë me kuratorin dhe të mbështesë ekzekutimin dhe menaxhimin e projektit me të cilin do të përfaqësohet Kosova në Bienale si dhe të zhvillojë komunikimin e dyanshëm me zyrtarët e Venedikut dhe me opinionin e gjerë. Ndërkaq, kuratori ka për detyrë që përmes kreacionit të tij të zbatojë dhe realizojë projektin e Kosovës në Bienale, të cilën do ta zbatojë arkitekti prizrenas Maksut Vezgishi”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ndërkaq, në vitin e kaluar në Bienalen e Arkitekturës së Venecias, kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artkitektja Eliza Hoxha me temën “Qyteti është gjithandej”. Në vitin 2016 Kosova nuk kishte marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe të arkitekturës. Ndërsa, debutimi i Kosovës në këtë ngjarje ishte bërë nga arkitekti Përparim Rama në vitin 2012 me veprën “Punuesi i filigranit”. Në vitin 2014 Kosova u përfaqësua nga Gëzim Paçarizi me veprën “Visibility (imposed modernism) – “Dukshmëria – Modernismi i imponuar”.