Aktuale
Ende reduktime të ujit në Gjilan, qytetarët e fajësojnë Hazirin që s’po merret me problemin
Me probleme për sigurimin e ujit të pijshëm po përballet familja 22 anëtarëshe e Ragip Shalës nga Gjilani.
Sipas tij, gjendja aktuale për shërbimet me ujë në këtë qytet nuk është aspak e kënaqshme, ndërsa reduktimet vetëm sa e kanë përkeqësuar situatën, raporton KTV.
Këto reduktime, Shala thotë se po i shkaktojnë familjes së tij telashe të shumta për përdorimin e ujit për shkak edhe të ndotjes së tij.
Ndërsa, nuk mungojnë edhe kritikat për kryetarin e kësaj komune, Lutfi Haziri.
Me gjendjen aktuale në Gjilan të shqetësuar shprehen edhe qytetarë të tjerë.
Për telashet me ujin e pijshëm, përmes telefonit kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësit rajonal “Hidromorava” thotë se problemi kryesor qëndron te rënia e nivelit të ujit nën 8 metra në Liqenin e Përlepnicës.
Lidhur me ndotjen e ujit, Muhamet Suliqi, Kryeshef ekzekutiv i KRU “Hidromorava”, thotë se qytetarët e Gjilanit mund ta përdorin për pije, pasi që, sipas tij, kjo nuk paraqet ndonjë rrezik.
Gjendjen shqetësuese e vlerësojnë edhe në Komunën e Gjilanit.
Zyrtarë të saj tregojnë se vazhdimisht janë duke krijuar puse të reja që do të zvogëlojnë problemin me ujë, ani pse kjo nuk është zgjidhje afatgjate.
Për këtë, Komuna e Gjilanit është duke përgatitur një zgjidhje që do t’i jepte fund krizës për ujë të pijshëm.
Komuna e Gjilanit shpalli gjendje emergjente për ujë të pijshëm në qershor të 2019-s, ku si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike dhe thatësisë së madhe, u ul niveli i ujit në Liqenin e Përlepnicës, duke kërkuar ndihmë edhe nga Qeveria.