Aktuale
Hetimet për tërmetin: Prokuroria e Lezhës mbledh provat për 7 pallate të dëmtuara, 6 prej tyre në shkelje me ligjin
Organi i akuzës së Lezhës ka nisur hetimet për 7 objekte që pësuan dëmtime gjatë tërmetit të 26 nëntorit.
7 pallate që pësuan dëmtime gjatë tërmetit të 26 nëntorit, do të jenë objekt hetimi nga Prokuroria e Lezhës. Burime nga organi i akuzës, i thanë Dosja.al se Prokuroria ka administruar provat e referuara nga Policia Gjyqësore në lidhje me këto objekte. 6 prej objekteve që pësuan dëmtime janë ndërtuar para viteve ’90, ndërsa 1 pallat 10-katësh është ndërtuar gjatë viteve të fundit dhe nga tërmeti ka pësuar dëmtime serioze.
Në objektet e vjetra që janë referuar për hetim pranë prokurorisë rezulton se ka pasur ndërhyrje në katet e para apo dhe shtesa të ndryshme, çka dyshohet se ju kanë dobësuar strukturën. Ndërsa për pallatin 10-katësh dyshohet se ka pasur cilësi të dobët në ndërtim.
Pritet që në ditë në vijim të ngrihen 3 vepra penale për këtë çështje, “Ndërtimi pa leje” parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, neni 199/b i Kodit Penal si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Vijojnë hetimet për ndërtimet abuzive. Një ditë më parë Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë për 18 të arrestuarit për ndërtime abuzive, mbi të cilët rëndojnë akzuat “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”. 10 prej të arrestuarve u liruan, ndërsa 8 të tjerë u lanë në qeli./Dosja




