Aktuale
Tualetet në Klinikën e Pediatrisë në gjendje të keqe edhe pas investimit të 150 mijë dollarëve
Tualetet në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë në gjendje aq të keqe sa pothuajse janë të pashfrytëzueshme.
Edhe pse, ka vetëm pesë muaj që janë investuar 150 mijë dollarë nga Qeveria Amerikane në këtë klinikë për rinovim të infrastrukturës, në fotografitë e dërguara nga lexues të Telegrafit, shihet gjendja e tualeteve, në njërin prej të cilëve mungon edhe dera.
Ndërsa, një Spital i ri i Pediatrisë dhe Kirurgjisë së fëmijëve ishte nisur me iniciativën e ish-Presidentes, Atifete Jahjaga.
Gurthemeli i këtij spitali ishte vënë në mars të vitit 2016, ndërsa sipas njoftimit që kishte bërë Presidenca në kohën kur kishte zhvilluar bisedimet për një donacion prej 22 milionë eurosh, kjo klinikë planifikohej të ishte ne funksion qysh para dy vitesh, pra në vitin 2017.
“Klinika e re, e cila pritet të hapet në verën e vitit 2017, me vlerë prej 22 milionë eurosh, do të përfshijë shërbime shëndetësore të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji dhe mjekësi emergjente, duke na ndihmuar në këtë mënyrë që të shpëtojmë jetë”, thuhej në njoftimin e Presidencës, pas takimit që pati atëherë Presidentja Jahjaga me Sheika Fatima bint Mubarak, kur ajo vizitoi Republikën e Kosovës si pjesë e delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që janë edhe donatorët e këtij projekti.
Derisa ky projekt të përfundojë, fëmijët po vazhdojnë të mjekohen në Klinikën e Pediatrisë e cila siç shihet në fotografi, tualetet i ka në gjendje mjaft të keqe. /Telegrafi/