Aktuale
Rruga në Prishtinë që po pret që dhjetë vjet të asfaltohet
Një pjesë e rrugës “Aleks Buda” në Prishtinë mbeti e pa asfaltuar, përkundër kërkesave të shumta të banorëve.
Tash e një dekadë, banorët e kësaj lagje hasin në telashe të tilla.
Rruga në të cilën ata kalojnë çdo ditë, ka 10 vjet që është në këtë gjendje.
Kjo pjesë e rrugës “Aleks Buda” në lagjen “Taslixhe” të Prishtinës mbeti e pa asfaltuar, përkundër kërkesave të shumta të banorëve ndaj Komunës.
“Kemi bërë kërkesa vazhdimisht, qysh 10 vitet e fundit pak ma të intensifikuara, në 2016 kemi bërë kërkesë zyrtare, prapë në 2018 e kemi dërguar një kërkesë me nënshkrime të banorëve, nuk ka asgjë, komuna nuk ndërmerr asgjë edhe pse këtu janë afër 200 taksapagues të komunës. Asnjë cent komuna nuk ka investuar”, thotë Basri Fazliu.
E reshjet e shiut e vështirësojnë edhe më shumë qarkullimin në këtë pjesë.
Kjo ka bërë që banorët sa herë që flasin për këtë rrugë, ta cilësojnë me tjetër emër..
“A e di unë si e quaj këtë rrugë? Kur bie shi them erdhëm te rruga e kënetave, sepse këtu bëhet jashtëzakonisht shumë ujë, sikur me qenë pishina të vogla, ndërsa jashtëzakonisht dimrit është shumë problem sepse nëse ky ujë ngrihet është edhe më rrezikë. Don mu bo një dekadë prej që kemi pasur premtime që do rregullohet kjo rrugë por akoma nuk ka lëvizje asnjë pike, asnjë gisht. Cka është e tepërt, është e tepërt”, thotë Ikballe Rugova.
E pos qarkullimit me vetura, në këto kushte është e veshtirë edhe të ecin në këmbë.
Madje edhe fëmijët, hasin në telashe të tilla sa herë që nisën për në shkollë.
“Verës ka pluhur, dimrit nëse bie shi kur të shkojmë në shkollë ka blatë, uji nuk largohet, uji si pellg është këtu, keq”, thotë Jordi Pira.
Ndërkohë, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se ekziston një kontratë lidhur me ndërtimin e infrastrukturës rrugore në lagjen Taslixhe.
Por, ndonëse në këtë kontratë që u nënshkrua me 13 gusht të vitit 2019, cekët se afati kohor për përfundimin e punimeve është 90 dite kalendarike, një gjë e tille nuk ndodhi./GazetaExpress