Aktuale
Nga ky muaj do të shtrenjtohen çmimet e parkingjeve në Prishtinë
Nga ky muaj, në kryeqytet do të shtrenjtohen çmimet për parkim të automjeteve në vende publike, sidomos në qendër.
Për këtë shumë qytetarë po ankohen se shtrenjtimi i çmimeve për parkim është i paarsyeshëm.
Ata thonë se çmimi prej 1 eurosh për një orë parkimi në qendër është shumë i lartë, derisa tarifën ditore prej 7.50 eurosh e vlerësojnë si të papërballueshme.
Koha maksimale për parkim në zonën e parë është dy orë, derisa parkingjet do të jenë me pagesë nga ora shtatë e mëngjesit deri pas mesnatës, raporton 038 në KTV.
Të dielave dhe gjatë festave parkingjet do të jenë papagesë.
Në zonën e dytë parkimi për një orë do të kushtojë 50 centë, kurse në zonën e tretë 30 centë.
Tani e tutje, banorët e kryeqytetit (qendrës) do të duhet të paguajnë 10 euro në muaj për shfrytëzim të parkingjeve.
Por, aplikimi i masave të reja nga Komuna si përpjekje për të zvogëluar numrin e automjeve brenda qytetit, siç duket do të nisë pa qenë ende funksionale ndërmarrja “Prishtina Parking” e cila ka për detyrë menaxhimin e parkingjeve.
Ndërmarrja ende nuk e ka kryeshefin e saj, edhe pse konkursi për këtë pozitë është mbyllur fundvitin e kaluar.
Opozita në Kuvendin Komunal akuzon ekzekutivin se po e bllokon qëllimshëm zgjedhjen e kryeshefit, si përpjekje për të emëruar dikë të afërt me drejtuesit e komunës, raporton 038 në KTV.
Eman Rrahmani, aksionar i “Prishtina Parking”, thotë se bordi nuk duhet të pengohet, por të mbështetet në shqyrtimin e aplikacioneve për pozitën e kryeshefit.
Por, pretendimet e Rrahmanit i mohon aksionari i ndërmarrjes nga PSD-ja, Drilon Pireva.
Çmimi për parkingje do të jetë i njëjtë si në hapësira publike ashtu edhe në parkingjet private.