Aktuale
Pejanët kujtuan se dikush po e ndot Lumbardhin përmes kanalizimit, doli se Komuna po e zbulonte ndotësin
Një gyp në fund të murit të Lumëbardhit në qendër të qytetit të Pejës, të enjte për një kohë ka nxjerrë jashtë dhe ka dërguar në lum një masë të lëngshme me ngjyrë të kuqe.
Fillimisht ishte dyshuar se lumi po ndotej nga gjaku i kafshëve që mund të jenë prerë nga kasapët ose janë mbetje të ngjyrave të derdhura në kanalizim nga shtypshkronja, shkruan Koha Ditore.
Për këtë ndotje të mundshme kishte reaguar edhe shoqata e peshkatarëve “Trofta”, duke i quajt turpin e qytetit ata qytetarë apo biznese që e kanë shkaktuar këtë ndotje të Lumëbardhit, para syve të organeve komunale, që gjenden as 20 metra larg me objekte nga vendi ku del gypi nga muri i lumit.
Mirëpo, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka sqaruar të premten për Kohën Ditore se ajo e skuqur e ujit të lumit nuk ka qenë gjak e as ngjyra që dikush mund t’i ketë hedhur në kanalizim, por ngjyrë që e ka hedhur dje vetë komuna.
Sipas Muhaxherit ajo ngjyrë është e veçantë që përdoret për të zbuluar burimet dhe rrjedhat e ujit dhe është e padëmshme për florën dhe faunën e lumit. E arsyeja pse e kanë hedhur atë ngjyrë në një puset që gjendet në mes të dy objekteve të Komunës, sipas tij ka qenë nevoja për të zbuluar nga po vjen ai gyp dhe uji që po rrjedhë në të.
“Jemi që pesë muaj duke u përpjekur për mënjanimin e kanalizimeve prej Lumëbardhit në qytet, që janë ndërtuar në vitet ’60-ta. Ne kemi ardhur nga ana e poshtme duke i larguar kanalizimet nga lumi deri në këtë pjesë, ku duket ai gyp nga po del ende uji. Pasi i kemi eliminuar të gjitha gypat e kanalizimit në këtë pjesë nga ky gyp serish vazhdonte të rrjedhë uji dhe nuk gjenim se nga cili vend po vjen ai gyp dhe uji në të, se është 2-3 metra thellë nën tokë. Dje e kemi zbuluar nga po vjen pasi e kemi derdhur atë ngjyrë në një pusetë dhe ka dalë ngjyra e kuqe në lum. Puseta në të cilën e kanë hedhur ngjyrën e në të cilin ende shihen gjurmët e ngjyrës gjendet afër objektit të vjetër të Komunës, ku është salla e Kuvendit Komunal, i ndërtuar para 40 vjetëve dhe në atë pjesë gypi është futur atë kohë thellë në tokë. “Ai gyp është më poshtë se gypat e tjerë që i kemi zbuluar”, thotë Muhaxheri.
Para atij objekti të komunës është ndërtuar puseta e re në të cilën po kyçen kanalizimet që po largohen nga lumi në atë pjesë. Sipas Muhaxherit tash ka mbetur të largohen edhe kanalizimet prej Parkut të vogël, që tash quhet Parku i paqes “Ibrahim Rugova”, e deri të Ura e zallit.
“Këto kanalizime në këtë pjesë do të largohen në pranverë”, thotë Muhaxheri.