Arkitekturë
Arkitektët e rinj nga Kosova synojnë platformën evropiane të arkitekturës
Ekipi prapa ekspozitës “Mapping of the Obscurity” po shpreson që projekti i tyre që synon të thyejë barrierat midis digjitales e fizikes, të përzgjidhet në kuadër të thirrjes së “Future Architecture”, platformë për shkëmbime dhe rrjetëzim pan-evropian për arkitekturë.
Si qëllim e ka të promovojë komunikimin në mes të profesionistëve dhe institucioneve arkitekturale në mënyrë që të sjellin ide për të ardhmen e qyteteve dhe të arkitekturës. Ideja e platformës është që të kërkojë modele të reja dhe kreative që mund t’u sigurojnë gjeneratave të reja evropiane një perspektivë më stabile dhe që ndihmojnë të gdhendin një zhvillim më të harmonishëm të shoqërisë evropiane, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo ngjarje bë bashkë ekspertë, arkitektë të rinj, entuziastë të arkitekturës për të diskutuar në Lubjanë për të ardhmen e arkitekturës. Ky program i përvitshëm përfshin ekspozita, konferenca, ligjërata e punëtori dhe aktivitete të tjera. Fillimisht do të mbahet konferenca nga 12 deri më 13 shkurt, ndërsa programi fillon më 17 shkurt e përfundon më 31 tetor. 25 aplikantë pritet që të bëhen pjesë e saj. Në mesin e tyre synon të jetë edhe ekipi prapa ekspozitës “Mapping of the Obscurity”, Sami Podvorica, Enis Buqani, Laureta Zejnullahu dhe Benart Shala.
Rreth 400 animacione janë pjesë e kësaj ekspozite të realizuar nga ekipi i arkitektëve të rinj nga Kosova. Ideatorët e kësaj ekspozite e kishin prezantuar të njëjtën në muajin qershor në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Kjo ekspozitë ka sintetizuar formën e artit të animacionit me atë tradicionale.
Në videoinstalacionet shfaqen pamje të ndryshme, duke filluar me format tradicionale të artit të profesorit Ferid Morina e deri në ato abstrakte, duke përfshirë edhe kuptimin arkitekturor.