Aktuale
RRIPAK kërkon reformim, e jo shuarje të Ministrisë së Kulturës
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës ka reaguar në lidhje me planet për shpërndarjen e departamenteve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nëpër ministri të tjera duke mos e lënë MKRS-në si institucion në vete.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratik e Kosovës, si dy parti që po negociojnë për formimin e qeverisë së re, kanë bërë të ditur se ekziston opsioni i shpërndarjes së departamenteve të MKRS-së. Sipas versionit që është bërë publik nga lideri i VV-së, Albin Kurti, planifikohet që Departamenti i Kulturës, ai i Trashëgimisë Kulturore dhe Rinisë të barten te Ministria e Arsimit përderisa Departamenti i Sportit te Ministria e Drejtësisë.
E pasditen e së martës, përderisa kryetarët e dy partive që po negociojnë për formimin e qeverisë ishin në një takim të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, RRIPAK ka reaguar kundër planeve të tyre.
“RRIPAK me këtë kumtesë përcjellë dhe shprehë shqetësimin e institucioneve anëtare, artistëve individualë dhe opinionit publik në lidhje me planet për shpërbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), të bëra publike nga zyrtarët e partive politike që janë duke negociuar krijimin e Qeverisë së re të Kosovës”, shkruhet në komunikatë.
RRIPAK, që në anëtarësi ka mbi 20 organizata kulturore, me 2 dhjetor 2019 kishte kërkuar krijimin e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të vendit.
Në kumtesë sqarohet se kjo kërkesë ka ardhur pas disa hulumtimeve dhe analizave të bëra më herët.
RRIPAK ka kërkuar që partitë politike duhet të rrisin urgjentisht vëmendjen për rolin dhe ndikimin shoqëror të artit e kulturës e trashëgimisë kulturore. Sipas Rrjetit, këto fusha duhet të jenë interes kombëtar.
“RRIPAK e vlerëson të dëmshëm për interesin publik dhe kombëtar të Kosovës planin për zhbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe mosthemelimin potencial të Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës”, shkruhet në komunikatë.
RRIPAK, planin për zhbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e konsideron të rrezikshëm për kornizën ligjore të Kosovës, e cila administron institucionet publike dhe këtë sektor në Kosovë, të dëmshëm dhe të rrezikshëm për zhvillimin dhe funksionimin e institucioneve publike dhe të pavarura të artit dhe kulturës e po ashtu edhe sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Në kumtesë sqarohet se sekretariati i RRIPAK-ut ka hulumtuar modelet e vendeve të rajonit. Përmendet fakti që Shqipëria ka qeveri prej 12 ministrish dhe atë të Kulturë se ka ministri të veçantë. Përmendet se Ministria e Kulturës është ministri e veçantë edhe në Qeveritë e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë.
“RRIPAK vlerëson që për krijimin e mundësive për zhvillime të hovshme shoqërore, zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë dhe krijimin e një momenti të ri zhvillimi të vendit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhet të reformohet, dhe në këtë proces kjo Ministri nuk duhet të zhbëhet por të reformohet dhe të ristrukturohet në Ministri të Kulturës, duke pasur për bazë modelet e suksesshme në rajon dhe më gjerë”, shkruhet në kumtesë.
Ky Rrjet procesin e krijimit dhe fuqizimit të Ministrisë së Kulturës e sheh si hap të parë të domosdoshëm për realizmin e ndryshimeve të pritura nga rezultati i zgjedhjeve të vitit 2019.
“RRIPAK vlerëson që me krijimin e Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Kosovës Republika e Kosovës përfundimisht largohet nga mentaliteti qeverisës i administratës së misionit të UNMIK-ut në Kosovë, dhe politikave pasuese, për t’u bashkuar me proceset zhvillimore në vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian”, shkruhet në komunikatë.