Aktuale
Kaq milionë euro fitoi Prishtina nga lejet ndërtimore në vitin 2019
																								
												
												
											28 leje ndërtimore më pak u dhanë në vitin 2019 nga Komuna e Prishtinës në krahasim me vitin paraprak. Përderisa në vitin 2018 u dhanë 195 leje ndërtimore vitin 2019 u dhanë 167.
Por, krahasuar me vitet paraprake që sipërfaqet e këtyre ndertimeve kanë shkuar deri në 800 mijë metra katrorë, gjatë vitit të kaluar sipërfaqja e tyre arriti në mbi 1 milion metra katorë (1,024,897.39155), shkruan Ndërtimi.info.
E Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga kryetari Shpend Ahmeti, ka mbledhur nga këto leje një buxhet prej miliona eurosh (10,104,231.47443).
Viti 2019 u mbyll me mbi 10 milionë euro të grumbulluara nga lejet ndërtimore që i ka lëshuar Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë.
Edhe gjatë këtij viti dominuan objektet shumë banesore afariste me gjithsej 63 të tilla dhe 68 objekte individuale, por përveç tyre në listën e lejeve të lëshuara bëjnë pjesë edhe objektet e përkohëshme, objektet shtetërore, ato arsimore ku hyjnë çerdhet dhe objektet bujqësore.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që nga viti 2015, ka publikuar Regjistrin Shtetëror të Ndërtimeve pa leje. Aty ka rezultuar se në Kosovë janë 352 mijë ndërtime pa leje. Vetëm në Prishtinë ekzistojnë 46 mijë ndërtime të këtij lloji.
Këtu hynë të gjitha ndërtimet pa leje që prej vitit 1960 e të ndërtuara deri më datë 30 gusht 2013, kur edhe është bërë incizimi satelitorë i Kosovës.
																	
																															
														
														
														
