Aktuale
Hani i Elezit vazhdon të përballet me pengesa nga institucionet qendrore për disa projekte
Banorët e Hanit të Elezit po vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit të pijes, ani pse ka vite që është ndërtuar fabrika për përpunimin e tij në këtë komunë.
Sfidë tjetër është pastrimi i lumit Lepenc nga mbetjet e azbestit, si dhe çerdhja e fëmijëve, e cila është ndërtuar par dy vjetëve, por që ende nuk kanë marrë leje nga Ministria e Arsimit.
Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, sipas të cilit funksionalizimi i fabrikës së ujit nuk është bërë për shkak se kompania regjionale “Bifurkacioni”, nuk e ka marrë nën menaxhim, ani pse kishte nënshkruar një marrëveshje të mirëkuptimit me komunën e Hanit të Elezit.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, thotë se problem i ujit të pijes është i kamotshëm dhe se problemi kyç qëndron në atë se uji që vije nga përroska e Dimcës, e përmes të cilit duhet të furnizohet gjyma e Hanit të Elezit, aktualisht është i papijshëm.
Kreu i Hanit të Elezit thotë se pasi që nuk ishte ndërmarrë asgjë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe as nga qeveria e vendit, si Kuvend Komunal kishin themeluar një kompani lokale për menaxhimin e ujit, por që nisma u kishte mbetur në gjysmë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që nuk i kishte lejuar të vazhdojnë tutje për themelimin e kësaj kompanie.
Suma thotë se për vitin 2020 projekt kryesor është funksionalizimi i kësaj fabrike, derisa ka një lutje për institucionet qendrore se nëse nuk e marrin përsipër funksionalizimin të paktën t’i lejojnë që si komunë ta menaxhojnë vet.
Sfidë tjetër me të cilën po përballet kjo komunë është pastrimi i lumit Lepenc nga mbetjet e azbestit. I pari i kësaj komune, thotë se beson që gjatë këtij viti që kemi hyrë do të bëhet pastrimi i tërësishëm i këtij lumi.
Ai thotë se në vazhdimësi kanë kërkuar nga Ministria e Mjedisit që të vazhdojë ky projekt, por shton se nuk kanë marrë një përgjigje konkrete. Tash Suma bëri të ditur se janë duke biseduar me Bankën Botërore për ta përfunduar këtë projekt.
Komunës së Hanit të Elezit, problem i ka dal edhe me Ministrinë e Arsimit, pasi kjo e fundit nuk po e jep lejen për funksionalizimin e çerdhes së qytetit.
Kreu i Hanit të Eleit Rufki Suma, bëri të ditur se para dy vitesh me mjete të komunës është ndërtuar çerdhja e fëmijëve, por që mos dhënia e lejes nga Ministria e Arsimit e ka lënë këtë çerdhe të pa shfrytëzueshme.
Ai u shpreh se beson që në buxhetin e vitit 2020 të parashihet edhe funksionalizimi i kësaj çerdhe, pasi sipas tij, është shumë e nevojshme për këtë komunë.
Një projekt tjetër që pret të përfundohet në vitin 2020, është shtëpia e kulturës, që ka filluar të ndërtohet gjatë vitit të kaluar.
Komuna e Hanit të Elezit gjatë vitit 2019 ka realizuar projekte të ndryshe infrastrukturore, ku kryetari Suma thotë se nuk ka fshat në këtë komunë që nuk i ka rrugët e asfaltuara. Po ashtu, ai bëri të ditur se kanë vazhduar me projektet për ndriçimin publik në të gjitha fshatra, ndërsa premtoi se edhe gjatë këtij vitit do të vazhdojnë me projekte në të mirë të qytetarëve.