Connect with us

Aktuale

“Trepça” pret milionat e premtuara për rimëkëmbje

Published

on

Pa investime milionëshe, kombinati metalurgjik “Trepça” në Kosovë, nuk mund të rimëkëmbet dhe vështirë se do të mund të funksionojë tutje, thonë udhëheqës të kësaj ndërmarrjeje.

Planet për kombinatin metalurgjik “Trepça” për vitin 2020 janë të shumta, thonë drejtuesit e ndërmarrjes, por që asnjëra nga to nuk mund të realizohet nëse Qeveria e Kosovës, si aksionare e këtij kombinati, nuk i bën investimet e duhura.

Drejtori menaxhues në “Trepçë”, Basri Ibrahimi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë vitit 2019 janë bërë përpjekje të mëdha për të vënë në funksion më të madh këtë ndërmarrje, por, sipas tij, problemet janë të mëdha dhe të grumbulluara ndër vite.

“‘Trepça’ sot ballafaqohet me shumë probleme, duke filluar nga punëtorët e vjetër që vetëm deri në vitin 2022 duhet të pensionohen rreth 250 veta, që do të thotë se ata janë 63-vjeçarë dhe kontributi i tyre në minierë është në pikëpyetje të madhe, pasi që duhet të ketë një forcë fizike. Kur e kemi parasysh edhe teknologjinë e vjetërsuar, kjo e vështirëson edhe më shumë situatën”, thotë Ibrahimi.

“Trepça” llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e ’80, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe aktualisht nuk numëron më shumë se 1 mijë e 300 punëtorë dhe mosha mesatare e tyre është 58 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit, kurse sot, nga aty nxir

Ibrahimi thotë se gjatë vitit 2019, prodhimi është rritur për 20 për qind, por nuk është arritur ajo që kishin synuar si ndërmarrje.

Për vitin 2020 objektivat, thotë ai, janë të shumta, por që duhen investime ose nga Qeveria e Kosovës ose nga burime tjera financiare.

“Domosdoshmërish duhet të nxirret Ligji për pensionimin e parakohshëm të minatorëve, pasi që nuk kemi mundësi ta rifreskojmë fuqinë punëtore. Të investohet në teknologji, në minierën e Stantërgut në veçanti me të cilën ne do të kemi mundësi të prodhojmë më shumë. Të investohet në flotacion edhe në atë të Stantërgut edhe atë të Kishnicës dhe synimi ynë është ta aktivizojmë minierën në Hajvali”, thotë Ibrahimi.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë në largim të Kosovës, Valdrin Lluka, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se viti 2019-ta do të jetë vit kur do të fillohet me zhvillimin dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes “Trepça”.

Por, përveç miratimit të statutit të “Trepçës” si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve i bën të qeverisë dhe 20 për qind punëtorëve, kjo ndërmarrje nuk arriti të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të zgjidhë problemet më të cilat përballet ndërmarrja.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se patën paralajmëruar si OEAK se vetëm ndryshimi i statusit nga një ndërmarrje shoqërore në një ndërmarrje publike nuk do të ndihmon vetvetiu në rivitalizmin e “Trepçës”.

“Ne patëm propozuar që të krijohen mundësi për investime nga sektorin privat, në rend të parë investime të huaja në ndërmarrjen ‘Trepça’ si e vetmja mundësi që ne e kemi parë për futjen e kapitalit të ri në ‘Trepçë’ dhe ajo që është më e rëndësishmja futja e teknologjisë dhe njohurive të reja që janë të nevojshme për ndërmarrje të tilla”, thotë Zeka.

Partia Vetëvendosje e cila ka dalë fituese e zgjedhjeve parlamentarë të 6 tetorit ka paraparë një model të ri të qeverisjes së kësaj ndërmarrjeje.

Ringritjen dhe avancimin teknologjik të “Trepçës” e kanë paraparë në tre faza, që sipas tyre, kalojnë nëpërmjet riparimit të mjeteve ekzistuese, futjes së teknologjisë së re në flotacion dhe xehetari, dhe zhvillimin e metalurgjive e kimisë.

Po ashtu është ka paraparë ta shtohet prodhimi dhe kualifikimi i punëtorëve.

Gjatë vitit 2019, ndërmarrja “Trepça” u përballën me probleme financiare dhe si rrjedhojë, minatorët nuk i morën pagat me rregull.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, në deklarimet e tij për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare dhe se në këtë ndërmarrje është bërë menaxhim jo i duhur.

Sadiku prodhimin aktual në “Trepçë”e kishte vlerësuar të ulët dhe atë vetëm deri në 10 mijë tonë xehe në muaj me të cilët sipas tij, nuk arrihet të mbulohen pagat e rreth 1 mijë e 300 minatorëve të kombinatit metalurgjik “Trepça”.

“‘Trepça’ ka nevojë për një menaxhim të mirë, për shkak të keqmenaxhimit, korrupsionit dhe nepotizmit ‘Trepça’ ka ardhur në këtë gjendje ku nuk po arrihet të sigurohen as pagat e minatorëve. Ka vonesa në pagesën e pagave. Me këtë prodhim nuk arrihen të mbulohen as shpenzimet dhe pagat e minatorëve”, pati thënë Sadiku.

Gjatë vitit 2019 në Qeverinë e Ramush Haradinaj ishte përfolur privatizimi i pjesshëm i kombinatit metalurgjik “Trepça”, si forma më e mirë e rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrjeje.

Por, një ide e tillë ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit e punëtorëve, të cilët njëherësh janë edhe aksionarë në këtë ndërmarrje.

Profesori universitar në fushën e ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se në ekonominë e tregut nuk ekzistojnë mekanizma që qeveria duhet t’i mbajë gjallë ndërmarrjet, prandaj sipas tij, në disa segmente mund të futet kapitali privat.

“Të gjitha kompanitë në një shtet duhet t’i nënshtrohen transformimit, respektivisht privatizimit. Për të ardhur akterët e privatizimit në ‘Trepçë’, është një punë e vështirë. Kosova duhet të bëhet një shtet miqësor për investime, duhet të fuqizohet shteti ligjor, duhet ditur kush për momentin mund të qeverisë këto proces ndërkombëtar. Shpëtimi nuk mund të vjen nga shteti. Shteti duhet të sigurojë legjislacionin, shteti duhet të sigurojë shtetin ligjor, duhet të sigurohet barazia e gjithë akterëve në treg, duhet të rritet transparenca dhe brenda kësaj platforme mund të vijnë investitorët në ‘Trepçë’”, ka deklaruar Sadiku.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Përveç aseteve në Kosovë, dhjetëra prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera. “Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending