Aktuale
Kontesti pronësor “shpëton” objektin e Shtëpisë së Kulturës nga rrënimi
Autoritetet komunale janë detyruar të ndërpresin punimet në rrënimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Malishevë, meqë një qytetar pretendon se është pronar i parcelës ku gjendet objekti. Kryetari i fshatit, Latif Maliqi, ka thënë se sipas pretenduesit prona i është konfiskuar familjes së tij në kohën e regjimit të Jugosllavisë, shkruan Koha Ditore.
“E ka dërguar procesin në gjykatë dhe pa u përfunduar procesi ne si këshill nuk mund të ndërmarrim asnjë veprim. Si projekt është paraparë që të rrënohet objekti në tërësi, dhe përmendorja që e kemi në qendër të fshatit të zhvendoset. Me projekt është paraparë që të ndërtohet objekti i cili do të shërbejë për këshillin e fshatit, për ofiqarinë…, ndërsa hapësira tjetër të përdoret për aktivitetet e kulturës”, ka deklaruar Maliqi, të premten.
Zyrtarët e pushtetit në Gjilan kanë insistuar se prona është komunale dhe se për këtë posedojnë dokumentet kadastrale.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka thënë se rrënimi i objektit është i domosdoshëm, meqë paraqet rrezikshmëri për jetën e banorëve për shkak të dëmtimit dhe vjetërsisë.
“Kemi filluar punimet me kërkesë të Këshillit të fshatit për rrënimin e objektit, që është vlerësuar edhe nga inspektorati komunal që paraqet rrezikshmëri të lartë. Tani është paraqitur një person me pretendimet se prona është e tij dhe se i ishte konfiskuar shumë herët. Komuna i ka ndërprerë punimet deri në vendimin e gjyqit. Mirëpo, në të gjitha dokumentet kadastrale të cilat i posedojmë dëshmohet se prona është komunale dhe se nuk qëndrojnë pretendimet e palës e cila deklaron se prona është e tij. Objekti është në listën e rrënimeve dhe pasi të përfundohen këto procedura do të vazhdojmë me rrënim”, ka thënë ai.