Aktuale
Yagcilari thotë se sfidë për MAP-in mbetet akomodimi i institucioneve që paguajnë qira
Ministria e Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, tha se një prej sfidave për këtë ministri mbetet akomodimi i institucioneve të cilat paguajnë qira ngase në kryeqytet nuk ekzistojnë ndërtesa të mjaftueshme shtetërore.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online nuk ka dhënë detaje se sa paguajnë institucionet shtetërore për qiranë, por tha se ato qiranë e paguajnë nga buxheti i tyre.
“Është një prej sfidave edhe për punën e qeverisë edhe për institucionet, në këtë rast MAP në një mënyrë ka obligim dhe përgjegjësi ndaj të gjithë institucioneve të Republikës së Kosovës. Dihet që në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, nuk ekziston ndërtesat mjaftueshme shtetërore për me ofru akomodimin për të gjithë institucionet e Kosovës dhe vërtetë ekzistojnë ende institucionet dhe në të ardhmen do të jetë në njëfarë mënyre që të akomodohen nëpër institucione ose nëpër ndërtesa ku duhet të paguhet qiraja”, tha ai.
Yagcilar tha se ky buxhet mund të bëhet pak më ndryshe ani pse nuk dha detaje se si mund të rregullohej, por tha se derisa nuk ka zgjidhje tjetër institucionet do të vazhdojnë të paguajnë qiranë për akomodim.
“Në këtë rast detaje të sakta nuk e kam mundësinë të tregojë sepse janë të dhëna të të gjitha institucioneve. Në atë rast kur institucionet janë në ndërtesa me qira ata paguajnë prej buxhetit të vet dhe në një mënyrë çdo muaj kjo çështje ose ndryshohet dhe detaje të sakta për me rregullu, atëherë duhet të bëjmë të gjitha ato kalkulime edhe përmes ministrisë së Financave dhe buxhetit të institucioneve dhe të nxjerrim një buxhet të saktë. Por po paguhet një buxhet i cili do të ishte mirë të bëhet pak më ndryshe, por në këtë moment në mungesën e ndërtesave shtetërore, jemi obliguar dhe në një farë mënyrë, institucionet kërkojnë zgjidhje me akomodimin përmes qirasë”, tha tutje ai.
Duke folur për Ligjin për Zyrtarë Publik, ai tha se MAP-i do të jetë koordinues sa i përket punësimit në nivelin qeveritar derisa komunat do ta kenë pavarësinë e vet.
Ai tha se ky ligj krijon një bazë që në të ardhmen punësimet të jenë më meritore dhe të mos ketë ndikime politike.
“Ministria e Administratës Publike ose Qeveria e Kosovës, përmes ministrisë përkatëse do të jetë koordinues sa i përket punësimit në nivelin qeveritar, ndërsa komunat do të kenë pavarësinë e vet, institucione të pavarura do të kenë pavarësinë e vet duke bazuar në dispozitat ligjore për zyrtarët publik. Dhe ky ligj mundëson edhe krijon një bazë që të ardhmen punësimet të jenë sa më meritore larg ndikimit politik dhe duke bazuar në përgatitjen profesionale. Sipas ligjit është planifikuar të krijohet një departament i veçantë për zyrtarët publik i cili do të përkrahet nga një komision qeveritar i cili do të krijon të gjitha ato kushte të realizohet testimi ose pranimi i shërbyesve civil ose zyrtarëve publik në mënyrë meritore përmes testimeve elektronike, sidomos për shërbyesit civil, dhe kështu që ndikimi i politikës, ndikimi subjektiv do të jetë minimizuar duke bazuar në këto çështje”, tha tutje.
Ai shpreson se Kosova shpejt ta ketë Ligjin për Paga i cili unifikon dhe realizon pagesat për të gjithë përfituesit nga buxheti i Kosovës, të cilët janë mbi 80 mijë njerëz.
“Nuk është vetëm Ligji për Paga, ishin tri ligje në pako, Ligji për organizimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive në kuadër të qeverisë dhe agjencive të pavarura , gjithashtu Ligji për zyrtarët Publik dhe Ligji për Pagat. Për fat të keq janë pezulluar edhe këto dy Ligje, Ligji për Zyrtarët Publik dhe Ligji për Paga, në një farë mënyre vërtetë janë ata njëri me tjetrin lidhur. Ndoshta është edhe shansi të shfrytëzojmë mundësinë të heqim të gjitha ato dilema edhe me pezullimin edhe ligjit, dhe në fund Republika e Kosovës të ketë vërtetë për herë të parë një ligj për paga i cili unifikon edhe i cili realizon pagesat për të gjithë përfituesit nga buxheti i Kosovës, të cilët janë mbi 80 mijë njerëz”, tha Yagcilar.