Aktuale
Bie numri i vdekjeve në vendin e punës në ndërtimtari, kërkohet të mos jepen leje ndërtimi në zona të rrezikshme
Çështja e sigurisë dhe shëndetit në punë në Kosovë gjatë viti 2019 po konsiderohet shpresëdhënëse. Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës numri i vdekjeve në vendin e punë ka rënë në raport me vitin 2018.
Gjatë vitit 2019 numri i vdekjeve të shënuar në vendin e punës është 11, prej tyre më së shumti kanë ndodhur në sektorin e energjisë elektrike.
Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të punës, Valon Leci në një intervistë për Ndërtimi.info ka thënë se prioriteti kryesor i inspektimeve gjatë viti 2019 ka qenë sektori i ndërtimtarisë, duke treguar për rastet e vdekjeve.
“ Në vitin e kaluar dhe këtë vit top prioritet në inspektim e kemi pas sektorin e ndërtimit, sepse vitin e kaluar shumicën e vdekjeve i kemi pas në këtë sektor. Fatmirësisht këtë vit ka rënë numri i aksidenteve, sidomos i atyre me fatalitet në sektorin e ndërtimtarisë. Madje, këtë vit sektori i energjisë elektrike ka më shumë vdekje në vendin e punës sesa ndërtimtaria. Është pak specifike me potencu numrin sepse kemi raste kur një i punësuar ka humbur jetën në sektorin e ndërtimtarisë, por e ka humb nga energjia elektrike dhe jo si pasojë e kushteve në ndërtimtari”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar që komunat të mos lëshojnë leje ndërtimi në zonat ku ka rrezik nga energjia elektrike.
“Do të ishte shumë e rrugës që komunat e Kosovës dhe drejtoritë përkatëse të mos jepin leje ndërtimi ku nuk duhej të jepen, shkaku i energjisë elektrike. Ne e kemi rastin ku kanë dhënë leje ndërtimi shumë afër tensionit të lartë, shumë afër kabllove elektrike, pa bërë zgjidhje paraprake”, është shprehur ai.
Leci ka theksuar se gjatë vitit 2019 nuk është shënuar asnjë vdekjes në vendin e punës si pasojë e rënies nga lartësia e madhe.
“Aksidentet, sidomos ato me fatalitet, në ndërtimtari kanë rënë. Këtë vit nuk e kemi asnjë vdekje si pasojë e rënies nga lartësia. Kemi një vdekje si pasojë e rënies nga lartësia, por ka rënë nga katet e nëndheshme dhe kemi një aksidentet tjetër që ka rënë nga lartësia prej një distance 3 metra, që ka pas rrëshqitje të shkallës për shkak të kushteve që duhej t’i kishte shkalla. Por, nuk kemi ndonjë aksidentet për shkak të rënies nga lartësia, qysh kemi pas vitin e kaluar”, ka treguar ai.
Sipas tij ky është rezultat i aksionit për të obliguar kompanitë e ndërtimit vendosjen e skeleve në gjithë objektin gjatë ndërtimit.