Aktuale
Gashi: Në Prishtinë s’ka investime në ujërat e zeza e në komunikacion
Në Prishtinë po konsiderohet se nuk u investua në disa sektorë, e në veçanti në infrastrukturë.
Nga asamblistët e Kuvendit Komunal në veçanti është theksuar mungesa e finalizimit të projekteve kapitale, të cilat sipas tyre e kanë lënë Prishtinën pas komunave tjera, shkruan Zëri.
Mosinvestime ka pasur edhe në sektorë tjerë si në arsim, në shëndetësi e në infrastrukturë, teksa asamblistët janë shprehur pesimistë se kjo gjendje do të përmirësohet në 2020-n.
Madje Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar edhe pezullimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës.
1/3 e Komunës së Prishtinës jeton në ujëra të zeza. Kështu pohoi Agim Gashi, nga LDK-ja e që theksoi se ujërat e zeza nuk janë trajtuar as në vendbanimet e dendura.
“Nuk është investuar as në ujërat e zeza. Pavarësisht që 1/3 e komunës së Prishtinës jeton në ujëra të zeza. Sidomos ka nevojë për investime në kolektorin e ‘Matit 1’, të ‘Matit 2’, si dhe në Kalabri, pastaj kolektori prapa Pallatit të Rinisë, si dhe kanalizimi prej fshatit Grashticë, Llukar e deri te ‘Fusha e Pajtimit’, kanalizimi në Mramor e disa territore, ku vendbanimet janë shumë të dendura dhe kanalizimet janë të patrajtuara”, ka thënë Gashi.
Asamblisti i LDK-së në Prishtinë përmendi edhe një varg sektorësh, në të cilët nuk është investuar nga Komuna.
“Nuk është investuar as në mirëmbajtjen e rrugëve, pastaj në mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese, të parqeve në aspektin cilësor profesional, në zgjerimet e ujësjellësit. Pastaj ka mungesë të investimeve në komunikacion, në trajtimin dhe në ndarjen e mbeturinave e shumë të tjera”, ka thënë ai.
Asamblisti i LDK-së, Agim Gashi, për ngecjen e realizimit të planit buxhetor e fajësoi keqplanifikimin e projekteve nga Komuna.
“Komuna ka bërë një keqplanifikim për vitin 2019 dhe kjo ka pasur me keqrealizimin e planit buxhetor. Ky është një vit buxhetor shumë pak i suksesshëm, duke përjashtuar ndoshta ndonjë projekt minor”, ka thënë ai.