Aktuale
Qeveria ia fal Komunës së Obiliqit disa prona të KEK-ut
Qeveria në dorëheqje e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka marrë vendim që disa prona të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) prej 37.9 arësh t’ia falë Komunës së Obiliqit.
Ky vendim i datës 17.12.2019 është marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, pasi kohë më parë Kuvendi Komunal i Obiliqit nëpërmjet një vendimi e kishte shpallur zonë me interes këtë pjesë. Në vendimin e nënshkruar nga kryeministri në dorëheqje, Haradinaj, figurojnë dhjetë parcela që do t’i barten Komunës.
“Aprovohet rekomandimi i komisionit të ministrave për ndërmarrjet publike (KMNP) për bartjen e pronësisë për parcelat e caktuara nga Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK) në Komunën e Obiliqit. Bartja e parcelave të caktuara sipas paragrafit 1 të këtij neni janë parcela nr. 647-24, parcela nr. 664-0, parcela nr. 689-0, parcela nr. 690-0, parcela nr. 815-1, parcela nr. 1448-4 parcela nr. 1448-5, parcela 1448-6, parcela nr. 1448-36 dhe parcela nr. 1885-0”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
I njëjti i obligon Korporatën Energjetike të Kosovës dhe Komunën e Obiliqit për zbatimin e këtij vendimi.
Në vendimin e Kuvendit Komunal janë 19 njësi kadastrale që përfshihen në zonën e interesit të përgjithshëm me një sipërfaqe prej rreth 1.5 hektarësh. Prej tyre 6 figurojnë si pronë e KEK-ut, 4 pronë e Kuvendit Komunal të Obiliqit, 6 të Vëllezërve Kariq, dhe 2 të Organizatës Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Obiliq. Këto njësi kadastrale janë të evidentuara si tokë ndërtimore, oborr, ndërtesa, shtëpi, kullosa.