Aktuale
Gjobë 5 milionë lekë për qytetarin, po riparonte banesën e shkatërruar nga tërmeti
Gjobë 5 milionë të vjetra sepse ndërhyri për të riparuar banesën e tij të dëmtuar nga tërmeti. Kjo ka qenë masa që shteti shqiptar i ka dhënë Ismet Shetajt, kryefamiljarit i cili kalon ditët dhe netët në çadër dhe në të ftohtë bashkë me 11 anëtarët e tjerë të familjes së tij, mes tyre edhe 4 nipërit e mitur.
Situata tragjikomike është shënuar në fshatin Shetaj të Durrësit.
Ismeti rrëfen për Syri Tv se, banesa e ndërtuar që në vitin 1985 iu dëmtua që prej tërmetit të 21 shtatorit, e përmes një dokumenti kreu i njësisë administrative deklaronte se banesa duhej riparuar. Tullat e lidhura me baltë dhe banesa pa kolona rrezikonte jetën e familjes Shetaj.
Në kushtet kur askush nuk mori përsipër riparimin e banesës, Ismeti nisi të ndërhyjë përmes ndërtimit të kolonave, për të bërë shtëpi më të sigurtë për familjen e tij. Por kjo i solli problemin e rradhës, gjobën 5 milionë lekëshe dhe një urdhër gjykate se shtëpia duhet të shembet.
Por gjoba ka ardhur në emrin e djalit të tij Florjanit….
Tërmeti i 26 nëntorit e bëri edhe më të keqe situatën për 12 anetarët e familjes Shetaj. Ata deklarojnë se janë të harruar nga shteti, e se jetojnë me shumë vështirësi në çadër, në këto ditë të ftohta dimri.
Ismeti pretendon se e gjitha është një hakmarrje personale e inspektorit të zonës së INUK, Ardian Halili. Ndërsa shprehet i vendosur në ndërtimin e shtëpisë, edhe nëse i duhet të përfundojë në burg.
Ismet Shetaj apelon për ndihmë pasi kushtet financiare të kësaj familjeje janë tepër të këqija, çka ja vështirëson përfundimin e shpejtë të banesës.