Aktuale
Ankesa pezullon shpalljen e projektit fitues për teatër të operës
Shpallja e projektit fitues për teatrin e operës dhe të baletit “Dr.Ibrahim Rugova” është shtyrë shkaku i një ankese të bërë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Kompania nga Tirana “Gjeokonsult & CO shpk”, e cila ka aplikuar me propozim si konsorcium së bashku me një kompani ndërkombëtare, aludon se Ministria e Kulturës ka bërë katër shkelje ligjore në procesin e vlerësimit të propozimeve për projekt ideor.
Kësisoj, pavarësisht vlerësimeve të bëra nga ana e Ministrisë së Kulturës, shpallja e kompanisë fituese nuk mund të bëhet pa vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Por për këtë projekt – më të madhin kapital në kulturë tash e 20 vjet – ankesa nuk është problemi i vetëm. Në nëntor Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se pikërisht në parcelën ku planifikohej ndërtimi i “Dr. Ibrahim Rugova” është duke u planifikuar një kampus i ri universitar, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Gjeokonsult & CO shpk” me seli në Tiranë është ankuar se Ministria e Kulturës, pavarësisht se kishte përcaktuar se oferta financiare e propozimeve që ishin kualifikuar për vlerësim do të hapej pas vlerësimit të ofertave teknike, ky institucion është ngutur.
MKRS-ja është në prag të një dështimi të radhës sa i përket projektit për këtë objekt. I pari projekt i hartuar afro 15 vjet më parë, i nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann, ishte shpallur i pavlefshëm në korrik të vitit 2012, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Memli Krasniqi.
Nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar rreth 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit në vitin 2009 dhe nisjen e fazës së parë të punimeve. Me arsyetimin se paraqiste rrezik për qytetarët, para një viti, autoritetet komunale e mbyllën gropën e themeleve.