Aktuale
Fermerët e fshatrave kodrinore të Klinës do të bëhen me puse për ujitje
Komuna e Klinës ka filluar realizimin e projektit të hapjes së puseve për ujitje të tokave që shtrihen në fshatrat kodrinore të kësaj komune.
Për fshatrat që shtrihen në rrafshinë dhe buzë lumenjve komuna ka projektin e hapjes së kanaleve të ujitjes, por, siç tregon drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Naser Morina, problematike ka qenë deri tash për fermerët që i kanë tokat në pjesët kodrinore, ku nuk ka rrjedhje sipërfaqësore të ujit.
Megjithëse nuk janë në kompetencë të Drejtorisë së Bujqësisë, por meqë projekti parasheh hapjen e puseve, Morina tregoi se fillimisht puset janë hapur për dy shkolla fillore, atë në fshatin Caravik dhe në fshatin Siqevë, të cilat kanë pasur probleme për ujë në shkolla.
“Komuna e Klinës ka filluar këtë projekt me synim që të ndihmohen fermerët që kanë problem me furnizim me ujë, por është parë nevojë e domosdoshme që të investohet në hapjen e puseve edhe për ato dy shkolla”, thotë Morina.
Sipas tij, kjo është hera e parë që Komuna e ka hapur kuletën për të hapur puse për ujitje në secilin vendbanim ku kanë nevojë fermerët për ujë për ujitjen e tokave. Ky projekt, sipas Morinës, nuk është planifikuar vetëm për tash. Ky projekt për puse, sipas tij, është vetëm për vendbanimet që janë në pjesët kodrinore të Komunës së Klinës, të cilat përbëjnë gjysmën e territorit të kësaj komune. Puset që janë duke u hapur tash nëpër ara janë përfshirë në fazën e parë të projektit që, sipas Morinës, ka një vlerë prej 25 mijë eurosh.
“Në fazën e parë, që tash jemi duke e realizuar, do të përfitojnë 21 fermerë në disa fshatra kodrinore. Për vitin e ardhshëm vazhdon projekti me fazën tjetër për të cilën kemi planifikuar 20 mijë euro të tjera dhe do të përfitojnë edhe 16 fermerë të tjerë. Pra, nga këto dy faza të projektit sivjet dhe vitin e ardhshëm do të përfitojnë 37 fermerë