Aktuale
KEK-u anulon tenderin për shkak të mangësive të veta
Zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e kanë anuluar një aktivitet të prokurimit për shkak të disa mangësive që janë hasur në të. Këtë njoftim të KEK-ut e ka miratuar Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), edhe pse dy operatorë ekonomikë pjesëmarrës në këtë aktivitet janë ankuar.
Në arsyetimin e këtij organi thuhet se N.T.N “B&D Engineering”-Prishtinë dhe “ND” sh.p.k.-Prishtinë janë ankuar se Autoriteti Kontraktues (KEK) e ka anuluar aktivitetin e prokurimit me titull “Riparimi dhe shtëllimi (testimi) i valvave siguruese në ‘TC Kosova B’ dhe ‘TC Kosova A’” me nr. të prokurimit 19-3336-5-2-1 (19-223-111) pa ndonjë bazë. Por Paneli shqyrtues konform ekspertit profesional të prokurimit ka sqaruar se i njëjti pretendim i OE-ve ankues nuk qëndron, pasi siç thuhet tutje, me të njëjtat specifikime teknike ky aktivitet i prokurimit ka qenë edhe në vitet e mëhershme, shkruan sot Koha Ditore.
“Paneli shqyrtues konform ekspertit profesional të prokurimit sqaron se ky aktivitet i prokurimit është publikuar në procedurë të hapur dhe në procesin e hapjes kanë dorëzuar ofertat dy operatorë ekonomikë, që tani edhe janë ankuar për anulimin e tij. Autoriteti Kontraktues ka anuluar këtë aktivitet të prokurimit me arsyetimin si në vijim: ‘Aktiviteti i prokurimit anulohet për shkak të specifikimeve teknike, në të cilat nuk janë sqaruar detyrat e Autoritetit Kontraktues dhe detyrat e operatorit ekonomik”.
Për këtë arsye, siç thuhet në arsyetim, Komisioni i vlerësimit nuk ka mundur t’i trajtojë barabartë të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit në përmbushjen e kërkesave të dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë.