Aktuale
Bilanci i investimeve të huaja në Shqipëri: Bie energjia rriten ndërtimi dhe argëtimi
Në përfundim të punimeve në gazsjellësin TAP dhe projektet e HEC-ve në lumin Devoll, investimet e huaja po zhvendosen nga sektori i energjisë drejt turizmit.
Banka e Shqipërisë raportoi sot se fluksi i investimeve të huaja direkte ka shënuar rritje në sektorët e industrisë nxjerrëse, në ndërtim, në sektorët e teknologjisë dhe informacionit dhe në aktivitetet argëtuese. Nga ana tjetër shihet se flukset e investimeve kanë shënuar rënie në sektorin e energjisë dhe në atë të shërbimeve administrative. Investimet në sektorin e energjisë, gazit dhe furnizimit me ujë ranë me 100 milionë euro ose 27% në 9-mujorin e 2019 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënie shënuan edhe investimet e huaja në shërbimet administrative dhe mbështetëse me rreth 15 milionë euro.
Investimet në huaja në sektorin e shëndetësisë shënuan 2 milionë euro rënie. Nga ana tjetër rritjen më të madhe në vlera neto e shënuan investimet në sektorin e informacionit dhe Komunikimit me 53,7 milionë më shumë se 9 mujorin e 2018 ose 115 për qind. Gjatë 2018 ky grup kishte pësuar rënie të investimeve të huaja prej 47 milionë eurosh prej masave shtrënguese që qeveria italiane mori ndaj kompanive call center që punonin jashtë BE-së. Sektori i dytë më rritjen më të madhe të investimeve ishte industria nxjerrëse me 40 milionë euro më shumë se në 9 mujorin e 2018.
Ky zë shënoi rritje prej investimeve më të mëdha në industrinë e përpunimit të kromit dhe në sektorin e naftës. Sektori i ndërtimit ishte i treti për madhësinë e flukseve të investimeve të huaja 36.8 milionë euro më shumë. Këto investimeve janë nxitur më së shumti nga hotelet në zonat turistike. Në një linjë me turizmin u rritën investimet e huaja direkte në sektorin e argëtimit, të cilat në nëntëmujorin 2019 ishin 24 milionë euro më larta se në 9-mujorin e parë 2018./Monitor