Aktuale
Policia ngre kallëzim penal ndaj Pal Lekajt për 53 milionëshin
Qeveria e Kosovës, në qershor të vitit të kaluar, pati marrë vendimin, që t’i paguante 53 milionë shtesë kompanisë “Bechtel-Enka” për autostradën “Arbën Xhaferi”.
Mirëpo, menjëherë pas këtij vendimi Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kishte nisur hetimet, për të zbardhur arsyet që shpien te ky obligim i Qeverisë së Kosovës.
Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë, që kur kanë filluar hetimet, por ende nuk ka rezultat nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Por sipas burimeve të Indeksonline, Departamenti Special Antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës, ka përfunduar hetimet për këtë çështje dhe ka ngritur kallëzim penal ndaj së paku dy zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Po këto burime bëjnë të ditur se në shënjestër të hetimeve është ministri Pal Lekaj dhe këshilltari i tij Eset Berisha nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ky kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës në fillim të muajit tetor. Në kohën kur kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga ngritja e kallëzimit penal dhe dosja është dërguar në prokurori, ende s’është ndërmarrë asnjë veprim nga Prokuroria Speciale.
Indeksonline i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale lidhur me këtë çështje, për të pyetur çfarë po ndodhë me këtë rast dhe pse ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga prokuroria?
Zyrtari për informim i prokurorisë Astrit Kolaj ka kthyer përgjigjie duke thënë: ”Rasti të cilin ju i referoheni është në fazën hetimore, per veprimet e metejshme të cilat ligjërisht janë të lejuara për publikim, do t’ju njoftojmë me kohë.
Indeksonline mëson se në dosjen e policisë për hetimet e “53 milionëshit” është edhe ish-këshilltari i ministrit Pal Lekaj, Eset Berisha.
Hetuesit policor që në fillim të hetimeve e kanë intervistuar Eset Berishen me dyshimin se është i përfshirë në këtë aferë korruptive dhe kanë ngritur kallëzim penal edhe për të. Por kjo gjë duket se nuk i ka penguar aspak ish-këshilltarit të Pal Lekajt, që të avancohej nëpër pozita.
Në janar të këtij viti ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka emëruar Eset Berishën drejtor të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës ku ai po vazhdon detyrën në këtë pozitë pa asnjë pengesë.
Prokuroria Speciale e Kosovës vazhdon të qëndrojë duarkryq përballë dosjeve të “peshqve të mëdhenj”, të cilat po qëndrojnë nëpër sirtarët e prokurorisë duke i mbuluar pluhuri, në pritje të kalimit të afateve kohore, në mënyrë që të parashkruhen ato ashtu siç ka ndodhur deri tani./