Aktuale
Hekurudhat e Kosovës në veri, nën administrimin e Serbisë
Kosova vazhdon të mos e administrojë linjën hekurudhore në veri të Mitrovicës, ndërkohë që ka filluar zbatimin e projekteve për rehabilitimin dhe modernizmin e hekurudhave në përgjithësi.
Linja ndërkombëtare hekurudhore që lidh Kosovën me Serbinë, është nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe në Mitrovicë të Veriut, thonë autoritetet kompetente të hekurudhave në Kosovë.
Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, thotë për Radion Evropa e Lirë se linja hekurudhore në veri të Kosovës kërkon zgjidhje të shpejtë.
Teknikisht kjo linjë hekurudhore, shton Thaçi, është në rregull, por që nuk menaxhohet nga autoritetet e Kosovës.
“Ne operojmë deri në Mitrovicën e Jugut, deri tek Ura e Ibrit, ndërsa në pjesën tjetër operon një organizatë e Serbisë dhe ne momentalisht nuk jemi përgjegjës për të operuar pa ndonjë marrëveshje apo urdhëresë”.
“Le të shpresojmë që viti 2020 të jetë vit që do të zgjidhet ajo çështje në mënyrë që ne të kalojmë në menaxhimin dhe administrim edhe në atë pjesë të hekurudhës, pasi që nuk ka kuptim që ne t’i kemi policët, doganorët tanë në Jarinjë të Poshtme, e atje të qarkullojë treni tjetër pa asnjë leje, pa asnjë pëlqim të autoriteteve të vendit”, thotë Thaçi.
Thaçi shton se në vazhdimësi kanë shtruar kërkesën te Qeveria e Kosovës që të bëhet një zgjidhje për marrjen nën administrim të kësaj pjesë të hekurudhave, pasi që i takon Kosovës.
Sipas tij, linja hekurudhore në veri do të duhej të jetë një nga temat e diskutimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që t’i kontaktojë zyrtarët të Qeverisë së Kosovës dhe ish-përfaqësuesit e ekipit negociator në bisedimet Kosovë- Serbi, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka vendosur taksën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, për shkak të, siç ishte thënë atëherë, politikës destruktive të kësaj të fundit ndaj Kosovës .
Për këtë shkak, Serbia nuk ka pranuar më që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, ndërkaq Kosova ka refuzuar ta heqë taksën.
Sadullah Avdiu, profesori i lëndës “Projektimi i Hekurudhave”, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, thotë për Radion Evropa e Lirë se investimet në hekurudha janë milionëshe dhe Kosovës i duhen investitorë.
Por, siç thotë ai, askush nuk do të investonte në hekurudhat e tipit të mbyllur, prandaj sipas tij, duhet gjetur zgjidhje për linjën ndërkombëtare hekurudhore me Serbinë që lidhet nga Mitrovica e Veriut.
“Në gjendjen që janë sot hekurudhat nuk janë funksionale, janë larg asaj që quhen funksionale, por është dashur të investohet. Investimet janë të mëdha dhe Kosova nuk dihet se sa është në gjendje të investojë me mjete vetanake”, thotë ai.
“Por, vështirë është të gjendet edhe një investitorë i cili do të investonte në një hekurudhë të mbyllur, prandaj duhet të ketë një zgjidhje për linjën ndërkombëtare që lidhet me Serbinë. Serbia e ka të zgjidhur transportin hekurudhor me korridorin e 8-të, kështu që për sa kohë t’ia lejojë asaj bashkësia ndërkombëtare këtë mundësi, do ta mbajë transportin hekurudhor të Kosovës të tipit të izoluar (hekurudha nacionale që nuk kalojnë në transportin ndërkombëtar)”, thotë Avdiu.
Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.
Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.
Rehabilitimi i hekurudhave
Kosova tani më është përfshirë në projektet për modernizimin e hekurudhave, investime këto që hyjnë në pakon për investime të aprovuara në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht të vitit 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.
Linja hekurudhore që përshkon Kosovën më Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, është 250 kilometra e gjatë, prej së cilës 148 kilometra janë në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Rehabilitimi i linjave hekurudhore në Kosovë, thotë drejtori ekzekutiv i ‘Infrakos’ Agron Thaçi, ka filluar në këtë vit dhe pritet të finalizohen në vitin 2021.
“Këtë vit ne kemi nënshkruar kontratën e parë dhe punimet kanë filluar për segmentin Fushë Kosovë – Hani i Elezit më gjatësi 65 kilometra të rehabilitimit dhe modernizmit të këtij segmenti. Paralelisht kemi filluar me përgatitjen e segmentit të dytë dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi kompaninë për këtë segment në mënyrë që të zhvillojnë punimet. Segmenti i parë pritet të zgjasë dy vjet, segmenti i dytë pritet të zgjasë një vit e gjysmë”, thotë Thaçi.
Kosova, shton Thaçi, me përfundimin e projektit të rehabilitimin të hekurudhave të Kosovës do të përfitojë hekurudha me standarde të Bashkimit Evropian dhe do të jetë pjesë e rrjetit rajonal hekurudhor dhe më gjerë.
Shpejtësia e trenave, për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, mund të zhvillohet në 50 kilometra në orë, kurse me renovimin e hekurudhave, trenat do të qarkullojnë deri në 150 kilometra në orë.