Aktuale
Komuna e Lipjanit u kërkon qeranë e banesave familjeve sociale, nxitet debat
Komuna e Lipjanit nëpërmjet një shkrese zyrtare, të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, ka kërkuar nga dhjetëra familje me gjendje të rëndë sociale ta paguajnë qiranë e banesave komunale në afat prej 15 ditësh.
Në të kundërtën, nëse borxhet e tyre me qindra euro nuk shlyhen brenda kësaj periudhe kohore, mund t’ua shkëpusin kontratat për banim social.
Kjo çështje ka nxitur një debat mjaft të nxehtë edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal ,të premten.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se është obligim i Komunës t’ua dërgojë një shkresë të tillë këtyre familjeve për shkak të rregullativës ligjore, mirëpo asnjë familje sociale nuk do ta largojë nga banesat komunale.
Përkundër kësaj, kryetari Ahmeti ka thënë se do të insistojë ta zgjidhë këtë problem për 3 vjet nëpërmjet subvencioneve në mënyrë që këto familje të lirohen nga pagesat e qirasë.
Ndërkaq, në shkresën e Komunës midis të tjerash thuhet se organi komunal me datën 04.11.2019 ka pranuar nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik kartelën e obligimeve-borxheve të qirasë joprofitabile, edhe pas dërgimit të vazhdueshëm të faturave për pagesë, këto familje ende nuk i kanë kryer obligimet kontraktuese.
“Andaj ju bëjmë thirrje që ta kryeni obligimin e borxhit prej muajit prill e deri në muajin tetor. Andaj, nga momenti i pranimit të kësaj shkrese jeni të obliguar ta kryeni pagesën ashtu siç përcaktohet në kontratë. Nëse nuk veproni konform obligimit tuaj në respektim të kryerjes së obligimit të pagesës së borxhit për kryerjen e obligimit kontraktues, nga organi ynë do të merren veprimet përkatëse ligjore dhe sipas dispozitave të kontratës mund të vijë deri te shkëputja e kontratës dhe kthimi i banesës në posedim të Komunës. Borxhi për qiratë komunale duhet paguar prej datës 15.4.2019 deri më 31.10.2019”, thuhet midis të tjerash në shkresën e Komunës.