Aktuale
Në Junik, gropa e madhe pranë shkollës rrezikon nxënësit
Vetëm disa metra larg ku vijojnë mësimin qindra nxënës të kësaj shkolle, është lënë e hapur një pusetë e thellë e mbushur me ujë, raporton KTV.
E përkundër rrezikshmërisë, kompania e cila ka nisur punimet në fillim të këtij muaji, nuk ka vendosur asnjë rrethojë apo shenjë paralajmëruese aty.
Drejtoresha e shkollës, Bekije Jasiqi, thotë se është detyruar që t’i obligonte mësimdhënësit që gjatë pushimit të gjatë dhe qëndrimit të nxënëseve në oborr, mësimdhënësit të kujdesen për sigurinë e fëmijëve.
I shqetësuar me mënyrën se si është lënë ky vendpunim është edhe asamblisti i LDK-së në Junik Zeq Hebibi, fëmija i të cilit gjithashtu vijon mësimin në këtë shkollë.
Inspektorët komunalë, këtë të premte vizituan vendin ku ka nisur ndërtimi i kësaj shkolle.
E pasi kompania nuk vendosi asnjë rrethojë në këtë pjesë, mëngjesin e së premtes në këtë pjesë qëndroi policia e cila vendosi disa shirita.
Komandanti i stacionit policor në Junik Rasim Syla, i ka thënë KTV-së se kanë njoftuar të gjitha institucionet dhe kanë kërkuar nga ata që ndërmarrin masa, në të kundërtën, Syla ka thënë se do të njoftojë edhe Prokurorinë.
Televizioni ka kontaktuar edhe me njërin nga zyrtarët e kompanisë e cila po zhvillon punimet në këtë pjesë.
Ibish Kastrati, vëllai i pronarit të kompanisë “Loni”, përmes telefonit, ka thënë se qysh nesër do ta rrethojnë vendin, pasi sipas tij, deri më tani, për shkak të makinerisë, nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë.