Arkitekturë
Lisbona, qyteti me histori të pasur dhe bukuri përrallore
Gjatë ditës, Lisbona ka një cilësi naive teatrale që të magjeps dhe të joshë, por natën është qytet përrallor, që zbret nga tarracat e ndritura drejt detit, si një grua me veshje festive që shkon teposhtë për ta takuar të dashurin e saj të errët – Erich Maria Remarque.
Kur lind Dielli në Lisbonë, vendi i parë që e kapin rrezet është Castelo de Sao Jorge (Kështjella e Shën Gjergjit). Muret e kështjellës sillen përreth një kodre e cila është më e larta që ka qyteti e që arrin lartësinë mbidetare 50 metra. Në pasdrekën e mesit të dhjetorit, temperatura në këtë vend është rreth 20 gradë Celsius. Këtu dimri është më i ngrohtë se pranvera e pjesës veriore dhe qendrore të Evropës. Moti i mirë krijon efekt po ashtu të mirë te njerëzit, e cila gjë vërehet edhe në fytyrat e gëzuara të turistëve të shumët që presin në radhë për të vizituar kështjellën…
Kështjella ka pozitë komanduese në të gjitha anët e saja, dhe kjo është arsyeja që është ndërtuar aty. Nga pjesa perëndimore kontrollohet deti i cili në fakt është Oqeani Atlantik. Në verilindje shtrihet qyteti që është i ndërtuar mbi shtatë kodra. Për këtë shkak, Lisbona ndryshe njihet edhe si ‘qyteti mbi shtatë kodra’. Ndaj, nga kështjella, ndërtesat e qytetit ofrojnë pamje madhështore. Ato janë impozante dhe flasin për fuqinë dhe kohën e lavdishme kur Portugalia ka qenë perandori. Kjo pjesë e qytetit është ndërtuar pas vitit 1755, pasi që në atë vit vendin e kishte goditur një katastrofë e madhe natyrore. Në mëngjesin e 1 nëntorit të atij viti një dridhje e madhe e tokës, e kombinuar më një cunami, e pastaj edhe nga zjarri ishte shkatërruar gati tërësisht Lisbona. Por, qyteti u rindërtua dhe u bë edhe më i bukur, për shkak se vendi përjetonte kulmin e fuqisë ekonomike.
Historia e kësaj kështjelle përmban episodin kryesor të historisë së Portugalisë. Në fakt, kështjella është ndërtuar në shekullit e X-të nga maurët, siç quheshin atëherë por edhe sot arabët që e kishin pushtuar këtë pjesë iberiane që nga shekulli i VIII-të kur vendi u mor nga pushtuesit e mëparshëm që ishin fiset gjermane (të cilëve romakët iu referoheshin edhe si barbarë). Sidoqoftë, në vitin 1147, kështjella dhe qyteti i Lisbonës ranë në duar të ushtrisë së krishterë që udhëhiqej nga Afonso Henriques, i cili e merr emrin Conquistador (Pushtuesi) sikurse edhe ushtria e tij. Pak vite më vonë, në duar të ushtrisë Reconquista ra edhe qyteti Algarve. Në vitin 1143, me Marrëveshjen e Zamorës, u proklamua themelimi i Portugalisë, pak a shumë me kufijtë që i ka sot, kurse më 1147 Lisbona u bë kryeqytet.
Mbi shpatijet e rrëpijta të pjesës jugperëndimore të kështjellës, gjendet lagja më e vjetër e Lisbonës. Kjo është Alfama (nga arabishtja Alfama: burimi i ujit të ngrohët) dhe shtrihet në mes kështjellës dhe lumit Tejo. Rrugicat zigzage dhe në formë të labirintit, ia shtojnë hijeshinë shtëpive të vjetra me dritare dhe ballkone karakteristike që e kanë ruajtur, deri-diku, pamjen arabe. Në një ballkon të vogël të katit të dytë, dy të rinj, njëri me kitarë e tjetri me adufe (një lloj defi katërkëndësh), ekzekutojnë muzikë tradicionale portugeze. Ata e bëjnë këtë gjest njerëzor në mënyrë vullnetare nga shtëpia e tyre dhe vetëm për argëtim të kalimtarëve që janë kryesisht turistë të huaj. Njerëzit duartrokasin, kurse ata ua kthejnë nderimin me një përkulje të trupit – si para mbretit. Pamje e rastësishme, por mbresëlënëse.
Në ballkonet e shtëpive sharmate, diku edhe nën dritare, shihen telat në të cilët vendosen teshat për t’u terur, pasi që shtëpitë nuk kanë oborre. Teshat në varg flasin për brendinë e shtëpisë. Nga sasia dhe lloji i tyre mund të vërehet se sa e madhe është shtëpia me njerëz apo nëse janë burra, gra të reja ose në moshë apo fëmijë. Lisbonasit i terin teshat në publik. Pasi që shtëpitë i kanë dritaret mbi trotuar, njerëzit dëgjohen duke biseduar hareshëm apo edhe të nervozuar. Diku dëgjohet zhurma e enëve në kuzhinë. Njerëzit e këtij qyteti, me siguri edhe në tërë Portugalinë, nuk kanë asnjë lloj kompleksi nga ata që janë dhe nuk mundohen aspak të jenë sikur tjerët.
Nëse vazhdoni të lëshoheni poshtë kështjellës, hasni në një hapësirë të rrafshët që quhet Miradouro de Santa Luzia. Nga aty, si nga një ballkon grandioz që ofron kodra, shihen pullazet dhe dritaret e shtëpive të bukura që e kanë ruajtur lashtësinë mesjetare. Ky është vendi që i detyron turistët të ndalen dhe t’i kapin pamjet e rralla të shtëpive që nënvizohen poshtë nga rruga si një shirit i zi dhe deti i kaltër që për kufi e ka diku larg horizontin me qiellin.
Këtu, në pjesën e pasme të një ndërtese, është i vendosur një mural me pllaka të kaltra. Murali përmban shpjegimin e momentit kur kështjella arabe filloi të binte nën sundimtarët e rinj – konkuistadorët. Gjatë sulmit të befasishëm kundër kështjellës, një kalorës i quajtur Martim Moniz, e kishte vërejtur se porta kryesore po mbyllej nga rojet arabe. Moniz kishte vrapuar për ta zënë derën hapur dhe ishte hedh me trup. Krahët e portës e kishin shtypur të tërin deri në vdekje por, deri atëherë, kishin vrapuar konkuistadorët tjerë dhe kishin hyrë brenda – fal jetës së Monezit. Kjo është legjenda e sakrificës që kërkon lufta. Martim Monez është Mic Sokoli i Portugalisë.
Kur dilni nga Alfama në rrafsh dhe buzë detit, dhe nëse vazhdoni rrugën në drejtim të jugut, e gjeni një ndërtesë të bukur mbi të cilën shkruan Museu Nacional do Azulejo. Fjala është për Muzeun Kombëtar të Pllakave dhe portugezët, si shumë fjalë tjera, edhe atë për pllaka – Azulejo (Azulexho: gurë i lëmuar apo pllakë) – e kanë ruajtur nga arabishtja. Muzeu e ruan tregimin e zhvillimit të Portugalisë nëpërmes pllakave. Eksponatet janë koleksione të shumta që paraqesin tema apo ngjarje në mënyrë dekorative dhe kryesisht murale të cilat datojnë nga shekulli XV e deri sot. Pllakat janë të qeramikës, por edhe të porcelanit. Pllakat me gjithë teknikën e prodhimit që kishin ardhur me arabët, nuk shënuan ndonjë sukses pas largimit të arabëve.
Në realitet, siç rrëfejnë edhe muralet me pllaka, Portugalia nga largimi i arabëve e deri në shekullin XV, nuk njihej për ndonjë gjë që mund të dallohej në Evropën e asaj kohe. Por, në fund të shekullit XV, gjërat ndryshuan dhe pllakat filluan të prodhohen me të madhe. Ndryshimi erdhi për shkak të një njeriu i cili e vuri Portugalinë në binarët e ndërtimit të perandorisë. Për ta kuptuar tregimin më mirë, duhet vizituar qytezën Sines e cila gjendet diku rreth 150 kilometra në jug të Lisbonës.
Në oborrin e një kishe në Sines qëndron një statujë impozante e një njeriu me shpatë në brez i cili në dorë të djathë mban një lloj teleskopi që dikur i kanë përdorur marinarët. Ky është Vasco Da Gama (1469-1524) dhe Sines është vendlindja e tij. Da Gama kishte shpirt hulumtuesi dhe kjo e çoi në zbulimin më të madh të asaj kohe: Ai ishte evropiani i parë që e zbuloi rrugën detare për Indi. Kjo gjë sot mund të tingëllojë si qesharake, por në Evropën e atëhershme ky ka qenë zbulim epokal. Da Gama u nis nga porti i Lisbonës me 8 korrik të vitit 1497 dhe pas një viti mbërriji në Kalkutë të Indisë. Në fund të gushtit të vitit 1499, u kthye sërish në Lisbonë, në portin ku e kishte filluar ekspeditën. Me këtë ‘zbulim’, Da Gama u popullarizua pa masë, kurse Portugalia, nga një vend i pakonsiderueshëm u katapultua në kreun e shteteve evropiane. Kështu filloi tregtia e leverdishme me Lindjen e cila e solli Portugalinë në pozitën imperialiste të kolonizimeve. Me këtë filloi epoka e artë e Portugalisë, kurse Da Gama u bë heroi kryesor i vendit, çfarë është edhe sot.
Pasuria që vinte nga tregtia dhe kolonitë e që derdhej në Lisbonë, kërkonte përmbushje të jetës me elemente të luksit. Kjo ndikoi që prodhimi i pllakave të ringjallej dhe të përdorej në ndërtim si pjesë e domosdoshme e që u shndërrua edhe në art. Muret e jashtme të shtëpive dhe brendia e dhomave me pllaka tregonin statusin që pronari kishte në shoqëri. Sa më kualitative dhe më të veçanta që ishin pllakat e jashtme dhe sa më artistike që ishin muralet e brendshme, pronari ishte më i pasur apo më i rëndësishëm. Pllakat në Portugali u bënë modë e domosdoshme. Kishat, manastiret dhe katedralet filluan t’i zëvendësojnë freskat me pamje të punuara nga pllakat e qeramikës. Qaji dhe kafja shërbehej me enë të porcelanit.
Ndërtesat shtetërore, ato të shesheve, shkollat, restorantet dhe stacionet e trenave, domosdoshmërisht zbukuroheshin me figura që përmbanin tema të ndryshme – që nga peizazhet imagjinative e deri te ngjarjet historike. Pllakat edhe sot janë ornamente kryesore të interierit dhe eksterierit të ndërtimit portugez. Ato nuk e luajnë vetëm rolin e artit ornamental, por në ndërtim, në kushtet atmosferike të nxehta që mbretërojnë në Portugali, e përmbushin edhe rolin specifik dhe funksional të uljes së temperaturës në hapësirat e brendshme gjatë verës, kur nxehtësia pa to do të ishte e padurueshme.
Në shekullin XX, Portugalia hyri me probleme shoqërore dhe ekonomike që pasuan pas dekolonializimit dhe kur nuk pati mundësi që ta mbante hapin e zhvillimit. Procesi i zhbërjes së perandorisë e goditi rëndë vendin. Trazirat e brendshme që ky vend përjetoi gjatë fillimit të shekullit të kaluar, nuk kanë qenë të lehta. Nga viti 1932 e deri më 1968, vendi është qeverisur nën diktaturën e Antonio de Oliveira Salazarit i cili siguroi një qetësi të dhunshme shoqërore, por dështoi në ndërtimin e ekonomisë dhe Portugalia mbeti prapa shumë vendeve evropiane.
Portugalia filloi të ringjallej në vitin 1974 kur vendi filloi procesin e demokratizimit. Kur në vitin 1986 ky vend anëtarësua në Unionin Evropian, filloi ringjallja e ekonomisë dhe me të u rrit edhe hovi i prodhimit të pllakave. Por, gjatë tërë kohës pllakat kanë qenë në përdorim dhe janë paraqitur si aspekti kryesor i arkitekturës portugeze. Prandaj, pllakat edhe sot janë pjesa më e rëndësishme e ndërtimit portugez. Çdo ndërtesë në pjesën e saj të jashtme ka së paku një shenjë dekorative të formuar nga pllakat.
Sot prodhimi i pllakave në Portugali shënon veprimtarinë e dytë të rëndësishme ekonomike dhe të eksportit, që radhitet menjëherë pas prodhimit dhe eksportit të verës. Gjatë vitit të kaluar, Portugalia ka eksportuar pllaka me vlerë rreth 800 milionë euro – pa e llogaritur atë të pllakave të gurëve natyror i cili po ashtu është i rëndësishëm në këtë vend.
Në mëngjesin e hershëm të së dielës, Praça de Rossio (sheshi Rossio) është pothuaj i zbrazët. Mu në mes të sheshit qëndron shtatorja e mbretit Dom Pedro IV (1798 -1834) që është e vendosur në një shtyllë të lartë. Ky është sheshi kryesor i Lisbonës dhe daton që nga Mesjeta. Sheshi, gjatë ekzistimit të tij, është përdorur si vendi kryesor për revoltime, luftë me dema, ekzekutime dhe festa të ndryshme. Tashti është vend i preferuar për takime të njerëzve, për shkak se përreth tij gjenden kafene dhe restorante të shumta e të popullarizuara.
Një kamerier në moshë, por elegant, doli nga restoranti me një grumbull të karrigeve në duar dhe i vendosi mes dy tavolinave që i kishte më afër. Kur e vërejti se do të uleshim, ai nxitoi dhe e rregulloi njërën nga tavolinat duke na dëshiruar mirëseardhje. Pastaj, i solli karriget tjera dhe i vendoste ngadalë duke u munduar ta kapte gjuhën tonë. Me siguri iu duk gjuhë e çuditshme dhe kjo e shtyri të na pyeste nga ishim dhe çfarë gjuhe flisnim. Kur i treguam, ai pyeti për gjendjen në Kosovë të cilën e mbante mend nga lufta. Biseda nuk zgjati shumë, pasi që filluan të vinin myshterinjtë.
Sheshi, sikur edhe trotuaret në Lisbonë dhe në tërë Portugalinë, janë të shtruara me kubëza që formojnë mozaikë me figura artistike bardhezi. Kubëzat e bardha janë gurë gëlqeror, kurse të zezat janë të bazaltit por nuk mungon as mermeri. Kontrasti bardhezi që nganjëherë kombinohet edhe e kuqja, i zbukuron dizajnet e ndryshme që shtrihen në tokë, aty ku përfundojnë muret e veshura me pllaka. Kjo formë dekorative është e njohur nga historia e hershme. Për herë të parë kjo punë është bërë në Mesopotami apo në Irakun e sotshëm, pastaj ka kaluar në Greqinë antike dhe në Romën perandorake. Por, kjo formë sot ekziston vetëm në Portugali dhe në ish-kolonitë e saja. Ky dekorim i trotuareve dhe shesheve ishte paraparë me ligj në Lisbonë në vitin 1498, me urdhër të mbretit Don Emanuel. Në fillim urdhri ishte që shtrimi të bëhej vetëm me granit, por më vonë u ndryshua dhe filluan të përdoren gurët që u përmendën më lart.
Shumica e shesheve dhe trotuareve janë punuar nga të burgosurit. Prandaj, në shumicën e rasteve, shtrimit i mungon eleganca dhe simetria e gurëve. Dizajni me siguri është bërë nga artistët apo arkitektët, por jo edhe realizimi i tij. Kjo gjë krijoi atraksion të vërtetë dhe kjo ishte arsyeja që trotuaret dhe sheshet u popullarizuan edhe më shumë dhe për to shkruan tregime dhe poezi shkrimtarët më të njohur portugezë, siç janë: Almeida Garrett dhe Cesario Verde. Mozaikët kanë tërhequr edhe vëmendjen e shkrimtarëve të huaj, shtegtarë të hershëm e deri te të sotshmit. Në përshkrimet e tyre shohim mahnitjen që shkakton ky lloj arti i veçantë.
Kur hyra në një restorant që gjendet afër stacionit të trenit në qytetin Sintra, një vendas ishte gati për të bërë porosinë para banakut, por ai u tërhoq anash për të më dhënë përparësi. Kur desha t’i marrë pijet për të dal jashtë në tarracë, banakierja insistoi: ’Jo, kurrsesi, do t’i sjell unë’. Portugezët janë të vetëdijshëm se jetojnë nga turizmi. Prandaj, duket se i tërë populli është mobilizuar në shërbim të turistëve i cili sektor ofron edhe punësim të konsiderueshëm. Duket se të gjithë janë angazhuar që vizitorit t’ia krijojnë efektin e ndjenjës së mirë. Në vitin e kaluar (2017) Lisbonën e kanë vizituar rreth gjashtë milionë turistë të huaj, kurse numri i atyre që e kanë vizituar Portugalinë është përafërsisht 20 milionë. Paratë që këta turistë kanë harxhuar kapin shifrën 19 miliardë dollarë. Besohet që viti 2018 ka qenë edhe më i frytshëm.
Sintra është diku rreth 30 kilometra në veri të Lisbonës dhe është ndër vendet më turistike në Portugali për shkak të kështjellave mesjetare që ka. Kështjella më e njohur dhe që tërheq më së shumti vizitorë është Castelo dos Mouros (Kështjella e maurëve – arabëve). Kështjella është ndërtuar në shekullin VIII, kur pjesa dërmuese iberiane (Spanja dhe Portugalia e sotme) kanë qenë nën sundimin arab. Kështjella, e ndërtuar në maje të një kodre shkëmbore, ruan arkitekturë dhe inxhinierinë mahnitëse të sundimtarëve të atëhershëm arabë. Muret e objekteve janë ndërtuar duke iu përshtatur shkëmbinjve. Në disa raste, ndërtimet janë bërë edhe duke i prerë apo lëmuar gurët masiv.
Sintra ka edhe pallate dhe kështjella tjera të ndërtuara më vonë, në periudhën mesjetare post-arabe, dhe kjo është arsyeja që ky vend gjendet në rekomandimet turistike. Ata që e vizitojnë Portugalinë, sidomos Lisbonën, nuk duhet ta lëshojnë rastin pa e parë këtë vend shumë të pasur me dëshmi historike të trembëdhjetë shekujve të fundit.
Një oficer rreth 30-vjeçar zbriti me shpejtësi nga ‘xhipi’ ushtarak. E rregulloi rripin e brezit ku e kishte revolen dhe nxitoi në drejtim të hyrjes në kazermë dhe njëkohësisht e vërejti që unë po ia zë rrugën. Është mesditë e datës 14 dhjetor apo dita e formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe unë dua ta fotografoj oficerin pedant ose të fotografohemi së bashku, e madje edhe të bisedoj me te. Ai, shpejt e ngriti dorën në shenjë ‘stop’-i dhe nuk e pranoi asnjërën ofertë timen. Në shenjë mirësjellje ma tregoi shiritin e kuq që e kishte në krahun e majtë me të cilën gjë deshi të thoshte: ’Jam në detyrë’. Pastaj, oficeri hyri në derën e blinduar të cilën ia hapi një ushtar që doli përpara për ta përshëndetur në pozitë gatitu.
Vendi ku hyri oficeri duket të jetë kazermë apo vend për qëllime tjera ushtarake dhe është pjesë e ndërtesës së pallatit të Mafrës. Mafra është një qytet tjetër i rëndësishëm turistik që gjendet 40 kilometra nga Lisbona apo diku rreth 20 kilometra nga Sintra dhe njihet për pallatin madhështor i cili është ndërtuar nga viti 1717 deri më 1755. Pjesa e përparme e pallatit është 220 metra e gjatë. Brenda ka 1,200 dhoma në të cila janë të vendosura 4,700 dyer dhe dritare. I tërë kompleksi i këtij pallati zë hapësirë prej 37,790 metra katrorë. Pallati është ndërtuar në kohën e artë të Perandorisë Portugeze dhe ka qenë mburrja e portugezëve të asaj kohe – por edhe të kohës së sotme.
Gjatë dy dekadave të fundit, pallati i Mafrës është popullarizuar edhe më shumë për shkak të shkrimtarit nobelist portugez, Jose Saramago (1922-2010). Saramango, i cili njihet për përdorimin e alegorisë, paradokseve, iracionales dhe fuqisë mbinatyrore, në romanin e tij “O memorial do Convento” e përshkruan dashurinë e dy të rinjve e cila ka ndodhur gjatë kohës së ndërtimit të pallatit në fjalë. Ata që e kanë lexuar këtë roman, me siguri kanë dëshirë ta shohin pallatin ku ka ndodhur ngjarja dhe ky është kontribut i autorit jo vetëm në zhvillimin e letërsisë, por edhe të turizmit në vendin e tij.
Në Portugali nuk janë atraktive vetëm qytetet, por edhe fshatrat të cilat po ashtu ruajnë mjaft segmente të së kaluarës. I tillë është fshati bregdetar Ericeira i cili gjendet pesë kilometra në perëndim të Mafrës. Ericeira ka qenë fshat peshkatarësh, por tashti është zhvilluar në resort të rëndësishëm turistik. Fshati e ka ruajtur pamjen mesjetare dhe tashti është një bërthamë rreth të cilit janë ndërtuar shumë ndërtesa të reja për të akomoduar mijëra turistë të cilët në këtë vend, pos plazhit, mund ta shijojnë edhe të kaluarën e Portugalisë e cila është shumë e pasur.
Nga Lisbona të gjitha vendbanimet e Portugalisë janë të lidhura me transport publik (trena dhe autobusë) të cilët janë shumë funksionalë dhe kushtojnë më lirë se kudo në Evropë. Edhe brenda qytetit të Lisbonës, transporti (metroja, autobusët dhe tramvajet) është tejet funksional. Tramvaji numër 28 është atraksion turistik për shkak se nuk është modernizuar qëllimisht. Nga brendia e tij, pa zbritur, vizitohen pjesët e vjetra dhe atraktive të Lisbonës. Ascensor da Bica është një lloj tramvaji i cili pasi i ngjitet një kodre shumë të pjerrët, quhet ashensor i cili funksionon që nga viti 1890 dhe është ndër mjetet e para transportuese në Evropë që funksionon me rrymë elektrike. Në të dy anët e binarëve ka shumë restorante apo dyqane tradicionale. Çmimet në to janë të volitshme dhe kjo mund të jetë arsyeja shtesë që ky vend është shndërruar në pikë atraktive për të rinjtë vendas dhe atyre që janë turistë të huaj.
Portugezët kanë shprehje unike. Një nga to është “Apaixonar” që do të thotë të biesh në dashuri apo të ndjesh se bie në dashuri. Kjo i bie sikur të thash: “Jam në vendin e rënies në dashuri”. Ndaj, arsyet për të vizituar Lisbonën janë të shumta. E, vizitori nuk ka mundësi të ndahet i pakënaqur nga ky vend. Sepse… Apaixonar! /Telegrafi/